2012-10-03 14:22:32

Gabriele deklarohet i pafajshëm në procesin kundër tij në Vatikan, por hedh akuza për keqtrajtime


Një orë e dhjetë minuta: kaq zgjati marrja në pyetje e Paolo Gabrieles, ish-kujdestarit të dhomës së Papës, akuzuar për vjedhje dokumentesh nga apartamenti papnor dhe për nxjerrjen e tyre jashtë Vatikanit. Gabriele u deklarua i pafajshëm përsa i përket vjedhjes, por pranoi se ka fotokopjuar dhe u ka dhënë gazetarëve dokumente të rezervuara. “E ndjej veten fajtor, sepse kam tradhtuar besimin e Atit të Shenjtë”, tha ai në proces.
“Qëllimi im – shpjegoi – ishte të gjeja një person të besuar, me të cilin të shfryhesha e të ndaja tronditjen për një gjendje, që ishte bërë e padurueshme, kudo në Vatikan”. Në dukje i qetë, Paolo Gabriele u tha gjykatësve se ka vepruar i vetëm e se ka filluar të grumbullojë dokumente që nga viti 2010, pas largimit të imzot Karlo Maria Viganò, i cili, nga sekretar i Guvernatoratit të Shtetit të Vatikanit u çua si Nunc Apostolik në SHBA-të. Gjithsesi, disa prej dokumenteve mbajnë data të vitit 2006. Gabriele theksoi se nuk ka marrë kurrë para, as ndonjë pepitë ari apo çek prej 100 mijë eurosh, të cilat u gjetën në shtëpinë e tij, së bashku me një kopje të rrallë të Eneidës. “Libri, të cilit nuk ia dija vlerën – saktësoi ish-kujdestari i dhomës së Papës – më është dhënë nga imzot Genshvain, sekretar i Papës, për fëmijët e mi… Nuk e përjashtoj, por nuk jam fajtor për këtë, që çeku të ketë përfunduar në mes të fletëve të fotokopjuara”.
Gjatë dëshmisë, i pyetur nga avokatja e tij, Kristina Arru, ish-kujdestari i dhomës së Papës deklaroi se gjatë ditëve të para të burgimit është keqtrajtuar: ka pasur presione psikologjike, dhoma ishte e vogël dhe drita është mbajtur ndezur 24 orë. Gjykata e Vatikanit hapi menjëherë një dosje hetimore për të sqaruar këtë çështje, por në një notë, Xhandarmëria vatikanase sqaron sot se Paolo Gabriele është zhvendosur në një ambient më të madh, 20 ditë pas arrestimit, pasi nuk ka qenë e mundur më parë, e se drita është lënë hapur për arsye sigurie.
Dje, gjykatësit dëgjuan pesë dëshmitarë, ndër të cilët edhe sekretari personal i Benediktit XVI, imzot Georg Genshvain, i cili deklaroi se ndërmjet akteve të sekuestruara ka edhe dokumente origjinale e jo vetëm fotokopje. Sot, janë dëgjuar dëshmitarë të tjerë, të gjithë xhandarë, që kanë marrë pjesë, në një farë mënyre në sekuestrimin e në katalogimin e 82 kutive plot me letra e me material informatik. Nesër, procesi do të ndalet për shkak të festës së Shën Françeskut e të vizitës së Papës në Loreto, ndërsa të premten, ka mundësi të jepet vendimi.








All the contents on this site are copyrighted ©.