2012-10-02 12:54:26

Intervistë me drejtuesin e Kongregatës Universale të Shtëpisë së Shenjtë, në prag të vizitës së Benediktit XVI në Loreto


Të enjten, më 4 tetor, 50 vjet pas vizitës së Papës Gjoni XXIII, Benedikti XVI do të shkojë në Loreto. Ati i Shenjtë do të vizitojë shenjtëroren e Shtëpisë së Shenjtë për t’ia besuar Zojës kremtimin e Vitit të Fesë dhe Sinodin e ipeshkvijve për Ungjillëzimin e Ri, që përurohet të dielën. Por ç’është Shtëpia e Shenjtë e Loretos? Sipas traditës, e cila sot provohet nga kërkimet historike e arkeologjike, ajo është shtëpia ku është lindur e rritur shën Maria. Por cilat janë këto prova? Të dëgjojmë drejtuesin e Kongregatës Universale të Shtëpisë së Shenjtë, atë Xhuzepe Santareli:RealAudioMP3
Janë sidomos elementet me karakter arkeologjik, ato që i identifikojnë gurët e shtëpisë së Loretos, si gurë, që vijnë nga Nazareti, si përsa i përket punimit të jashtëm me stil nabatean - siç e shohim në Palestinë, futur nga Nabatejtë e Petrës – ashtu edhe për rreth 50 mbishkrimet judeo-kristiane, që mund të lexohen në gurët e Shtëpisë së Shenjtë. Në veçanti, njëri, në greqisht, por me shkronja hebraike, mund të shpjegohet vetëm nëse gurët vijnë nga Nazareti e janë gdhendur me mbishkrime pikërisht nga judejtë e krishterë. Pastaj, siç na thotë tradita, kanë ardhur këtu në vitet 1291-94, gjatë mbartjes së Shtëpisë së Shenjtë. Janë elemente objektive, që vështirë se mund të kundërshtohen.
Është mrekulli, që ka ardhur deri në kohët tona, e ruajtur përsosurisht…
Po, e përsosur. Në Nazaret, Shtëpia e Shenjtë ruhej nën një kishë me stil sinagoge, ndërtuar nga judejtë e krishterë rreth fundit të shekullit të dytë e fillimit të të tretit. Pastaj është ruajtur nën një kishë bizantine, nën një bazilikë e, në kohën e kryqëzatave, ndërmjet shekujve XI dhe XII, në kriptën e një bazilike kryqtarësh shumë të bukur. Pra, sado e brishtë të ketë qenë ndërtesa, ka sfiduar shekujt, pasi është ruajtur gjithnjë brenda një ndërtese tjetër, prandaj nuk është prishur nga erozioni e agjentët e tjerë atmosferikë. Edhe në Loreto u bë kështu, pasi u mbrojt menjëherë me një mur të madh e më pas u mbrojt nga një kishë e parë e fundit të viteve ‘300 e pastaj nga bazilika aktuale, e ndërtuar në vitin 1469, me projekt ndoshta të Françesko di Xhorxho Martini, një arkitekt i shquar toskan, që ka jetuar ndërmjet shekullit XV dhe XVI.
Çfarë bëni ju fretërit e Loretos për ta nxitur përshpirtërinë mariane?
Kemi rektoratin dhe rektorin, që koordinon gjithçka; kemi sakrestinë për meshtarët, që kremtojnë; kemi rojtarinë, që pret shtegtarët, të cilët vijnë në Shtëpinë e Shenjtë; kemi kongregatën e Shtëpisë së Shenjtë, që promovon kultin marian lauretan me një ekip bashkëpunëtorësh e sidomos; kemi penitencierët, që presin pendestarët nga çdo anë e botës, në gjuhë të ndryshme. Natyrisht, Kongregata Universale e Shtëpisë së Shenjtë dhe arkivi i saj promovojnë shumë botime me karakter shkencor, të përshpirtshëm, popullor, me qëllim që të njihet shenjtërorja, historia dhe arti i saj, sepse shenjtërorja e Loretos është më e pasur me vepra arti se të gjitha shenjtëroret mariane në botë.







All the contents on this site are copyrighted ©.