Revista zëmadhe e françeskanëve shqiptarë ‘Hylli i Dritës’, mbush 99 vjet Duke
shfletuar kalendarin historik, përkujtojmë se si sot më 1 tetor para 99 vjetësh doli
numri i parë i revistës së njohur të Françeskanëve shqiptarë "Hylli i Dritës" - pasqyrë
e lavdishme, por jo më pak edhe tragjike e historisë së Kombit Shqiptar, për lirinë
e të cilit u përpoqën autorët e saj françeskanë e jo françeskanë, duke shkruar sa
me bojë, aq me flijimin e jetës deri në derdhjen heroike të gjakut në mbrojtje të
vlerave kulturore e shpirtërore të popullit e të vendit. Numri i parë i revistës
“Hylli i Dritës” u botua më 1 tetor 1913, për t'u ndërprerë menjëherë, sepse doli
haptas në mbrojtje të lirisë e të drejtave kombëtare shqiptare, seriozisht të kërcënuara
një vit pas shpallje së pavarësisë e para fillimit të Luftës I Botërore. Shkruante
Atë Gjergj Fishta:"E tuj kenë se me të hîm t' ushtrive ndërkombëtare në Shkodër
mbaroi nata e errshme e robnisë e për Shqipëtarë filloi me ague e bardha dritë e Lirisë,
e kemi quejtë ketë të Përkohëshme tonë: "Hylli i Dritës", përsé âsht tue lé nepër
ag të qytetnisë së Shqipënisë. E porsi Hylli i Dritës me fërfllim t'ambël të vetin
ngjall shpënesët e shueme në zemër të shtegtarit, errun ndër shkretí të mjerueme,
(ashtu) na do të përkujdesena, qi edhe e Përkohëshmja jonë të mrrijë me ngjall shpënesën
ndër zemra të Shqipëtarëvet se prej Hyut ditë mâ të mira kanë me iu reshë Shqipënisë"
(H.D. I. 1913, 4-8). (Pater Gjergji). Revista Hylli i Dritës rifilloi të botohej
në maj të vitit 1921, për të heshtur rishtas nga nëntori i 1944-tës deri në nëntor
të 1993-shit. Nga 1993 u duk përsëri nën drejtimin e njërit nga françeskanët e paktë
që kishin shpëtuar gjallë nga persekutimi i komunizmit: Atë Zef Pllumit. Shumë shpejt
u ngrit po në atë rang të lartë që kishte pasur dikur Hylli i Dritës dhe revista tjetër
e Etërve Jezuitë “ Leka“. Në këtë periudhë të pas komunizmit, Hylli i Dritës u
botua deri ne vitin 1997 kur iu deshtë të mbyllej sërish. Pas kësaj ndërprerje të
re, rifilloi përsëri të botohet në vitin 2006, gjithnjë nën drejtimin e Provincës
Françeskane “Zoja Nunciatë” të Shqipërisë, por kësaj radhe nën kujdesin e prof. Ardian
Ndrecës. Drejtuesit
e Hyllit të Dritës Drejtuer: Át Gjergj Fishta o.f.m. [I/1913-1914, VI/1930-VII/1931
(nr. 3)] Drejtuer i gjegjshem: Át Gjergj Fishta o.f.m. [VII/1931 (nr.4)-XVI/1940
(nr. 10-11)] Drejtuer i gjegjshem: A. A. Harapi o.f.m. [XVIII/1942-XIX/1943] Drejtuer
i gjegjshem: Dr. A. Gjon Shllaku o.f.m. [XV/1939 (nr.2-7), XX/1944] Gerant
i gjegjshem: Kolë Topalli [II/1921-V/1924] Gerant i gjegjshem: Kristo
Gjakova [VI/1930-] Pronár: P. Pashk Bardhi o.f.m. [VII/1931 (nr. 4)-X/1934] Pronár:
Provinçjalati Françeskan [XVII/1941-XX/1944] Administrator: A. B. Dema
[XV/1939 (nr. 2)-XVI/1940 (nr. 10-11)] Drejtuer e Administrues: A. B. Dema
[XVI/1940 (nr. 12)-XVIII/1942] Drejtuer i gjegjshem: A. B. Dema o.f.m. [XVII/1941-XVII/1942] Drejtuer
i gjegjshëm: At Zef Pllumi o.f.m. [1993-1997]. Kryeredaktor: Aurel Plasari. Drejtuer
i gjegjshëm: At Zef Pllumi o.f.m [2006-2007]. Kryeredaktor: Ardian Ndreca. Drejtuer
i gjegjshëm: At Gazmend Tinaj o.f.m [2007 e në vijim]. Kryeredaktor: Ardian
Ndreca.