2012-10-01 12:37:57

Shenjtorët e javës nga 30 shtator deri më 7 tetor


E diel më 30 shtator, Kisha kremton të Dielën e 26-të gjatë vitit liturgjik kishtar, e gjithnjë më 30 shtator kalendari përkujton edhe shën Jeronimin, meshtar e doktor i Kishës, që i lutej Zotit t’i jepte diturinë e vërtetë për të kuptuar si duhet Fjalën Hyjnore. Gjithnjë më 30 shtator kalendari kishtar kujton edhe shën Françesk Borgjia, jezuit.
Të hënën më 1 tetor Kisha do të kremtojë shën Terezën e Krishtit Fëmijë, virgjër karmelitane, doktore e Kishës e pajtore e misioneve. Në liturgjinë e festës, profeti na kujton se Zoti bën mrekulli, që ne mund të na duken të pamundura, ndërsa më pas leximi i Ungjillit na siguron se për Zotin nuk ka asgjë të pamundur e se praninë e tij e shikojmë vazhdimisht ndër fëmijët e në të gjithë njerëzit e pambrojtur.
Të martën më 2 tetor bie festa e Engjëjve të Rojës. Kjo e kremte na kujton se Zoti dërgon engjëjt e tij për të na shoqëruar në çdo hap të jetës sonë. Engjëjt e Hyjit mbrojnë posaçërisht më të vegjlit, ata që shoqëria i përbuz e i flak jashtë radhëve të saj.
Të mërkurën më 3 tetor, kalendari kihstar përkujton shën Kandiden, martire. Shën Kandida martire, na nxit të meditojmë për detyrën tonë si të krishterë në ndërtimin e mbretërisë së Hyjit. Është thirrje themelore, që Jezusi na e përsërit çdo çast, duke na kujtuar se kjo thirrje duhet të na nxisë t’i duam të tjerët e jo ta ndjejmë veten më të mirë se ata.
Të enjten më 4 tetor kalendari kishtar përkujton festën e shën Françeskut të Asizit, themeluesit të Urdhrit Françeskan. Festa e shën Françeskut na kujton se vizioni optimist i Varfanjakut të Asizit për gjithësinë duhet parë si shembull e nxitje edhe në ditët tona, sepse i kundërvihet konceptimit aktual, që duke e parë botën me syrin e fitimit, përpiqet të na bindë se sendet e njerëzit vlejnë vetëm atëherë kur na shërbejnë.

Të premten më 5 tetor bie përkujtimi liturgjik i shën Plaçidit e Maurit, nxënës të shën Benediktit; shën Galës, vejushë romake dhe e shën Marisë Faustina Kovalska, virgjër. Liturgjia e kësaj dite na kujton se çdo besimtar duhet të përpiqet për ta përhapur mbretërinë e Hyjit kudo. Pikërisht për këtë, pasi i nisi dymbëdhjetë apostujt, Jezusi dërgoi edhe 75 të tjerë, sepse të korrat ishin të begata.

Të shtunën që vjen më 6 tetor, kalendari do të përkujtojë shën Brunon nga Kalabria, meshtar, themelues i Çertozinëve. Festa e tij na mëson se nuk është njëlloj ta pranosh ose të mos e pranosh Jezusin. Në se pranojmë se Krishti është jeta, mospranimi i tij ka si pasojë përjashtimin nga lumturia e përjetshme hyjnore, që do të thotë vdekjen. Feja na mundëson të shohim me sytë e Zotit e t’ia arrijmë cakut të vërtetë të ekzistencës.

Të dielën e ardhshme më 7 tetor Kisha do të kremtojë të dielën e 27-të gjatë vitit liturgjik të Kishës, e po më 7 tetor Kisha kremton festën e Zojës Rruzare, e cila na frymëzon lutjen e bukur: “O Mari, Ti që vë ndër duart tona Rruzaren shenjte, na mëso që, duke e thënë këtë uratë të bukur të ulur në shkollën tënde, të bëhemi kundrues të vërtetë të Krishtit Shëlbues”.
Po më 7 tetor përkujtohen edhe shenjtorët Sergji e Baku, martirë, shumë të nderuar nga populli shqiptar, të cilëve u kushtohet edhe një nga kishat më të lashta në Shqipëri. Kisha ndodhet vetëm 40 minuta larg qytetit të Shkodrës, pranë fshatit Shirq, ku lumi Drin bashkohet me Bunën. Muret e saj kanë nisur të ngrihen në shekullin VI për nderim ndaj dy martirëve, emrat e të cilëve në shqip morën trajtat Shën Shirqi e Shën Bahti.







All the contents on this site are copyrighted ©.