2012-10-01 15:43:08

Papa në Engjëllin e Tënzot: thirrje për popullsitë kongoleze; kritikë kundër xhelozive në Kishë; paralajmërim për “të pasurit e pandershëm”


Thirrje e Papës, dje, për popullsitë kongoleze të përfshira në konfliktin civil, që ka shkaktuar 300 mijë refugjatë, vetëm brenda për brenda vendit, për të mos llogaritur viktimat e të larguarit. Në Lutjen e Engjëllit të Tënzot, e fundit nga Kastel Gandolfo, pasi Benedikti XVI u kthye sot në Vatikan, Ati i Shenjtë foli edhe për “të pasurit e pandershëm” e kujtoi se Zoti mund të bëjë mirë edhe jashtë Kishës.RealAudioMP3
Por të kthehemi tek thirrja e Papës për popullsitë e zonës lindore të Republikës Demokratike të Kongos, të cilat vuajnë prej kohësh nga dhuna, që përgjak vendin. Ditëve të kaluara, u fol për to edhe në OKB, duke vënë në dukje një luftë tjetër të harruar nga mediat, pasi vazhdon prej një kohe shumë të gjatë. Thelbi i saj është ndeshja ndërmjet etnive, asaj tutsi e asaj hutu. Rebelët e etnisë tutsi, aktualisht, të lidhur me Ruandën, janë shpallur edhe fajtorë për genocid nga Gjykata ndërkombëtare e OKB-së. Por arsyeja kryesore e kësaj lufte është pa dyshim përpjekja për të shtënë në dorë vendburimin më të madh të koltanit në botë. Ky i fundit është një material, që përdoret sidomos në teknologjinë e celularëve. Por të dëgjojmë Papën:
“Jam veçanërisht pranë refugjatëve, grave dhe fëmijëve, që për shkak të ndeshjeve të vazhdueshme të armatosura, pësojnë vuajtje, dhunë e shqetësime të thella. I lutem Zotit, të gjenden rrugë paqësore për dialogun e për mbrojtjen e sa e sa të pafajshmëve, që të kthehet sa më shpejt paqja, e bazuar në drejtësi, dhe të rivendoset bashkëjetesa vëllazërore në atë popullsi kaq të sprovuar, e në të gjithë rajonin”.
Para Lutjes së Engjëllit të Tënzot, Benedikti XVI, duke marrë shkas nga Ungjilli i së dielës, kujtoi se Zoti mund të bëjë gjëra të mira e madje të jashtëzakonshme, edhe jashtë rrethit të besimtarëve të krishterë. Për Mbretërinë e Zotit mund të bashkëpunohet në disa mënyra, edhe duke i dhënë një gotë me ujë një misionari, nënvizoi Papa. Vërtet, shën Augustini na mëson se ashtu si në Kishë mund të gjenden gjëra jo katolike, edhe jashtë saj mund të ketë diçka katolike:
“Prandaj, anëtarët e Kishës nuk duhet të provojnë xhelozi, por të gëzohen nëse dikush jashtë bashkësisë, bën mirë në emër të Krishtit, mjafton ta bëjë me qëllim të mirë e me respekt”.
Njëkohësisht, edhe brenda Kishës, vazhdoi Benedikti XVI, mund të ndodhë që ta kemi të vështirë t’i vlerësojmë e t’i çmojmë gjërat e mira, që bëjnë realitetet e ndryshme kishtare:
“Ndërsa, duhet të jemi të gjithë e gjithmonë të aftë ta vlerësojmë e ta çmojmë njëri-tjetrin, duke i thurur lavde Zotit për ‘fantazinë’ e pafund me të cilën vepron në Kishë e në botë”.
Duke u nisur gjithnjë nga liturgjia e djeshme, Papa përmendi zemërimin e shën Jakut Apostull kundër të pasurve të pandershëm, që e ndërtojnë sigurinë e tyre mbi pasuritë, e grumbulluara me lloj-lloj abuzimesh:
“Fjalët e shën Jakut Apostull, ndërsa na paralajmërojnë të kemi kujdes nga lakmia e kotë për të mirat materiale, janë thirrje për ta përdorur pasurinë sipas perspektivës së solidarietit e të së mirës së përbashkët, duke vepruar gjithnjë me barazi e moralitet, në të gjitha nivelet”.
Në përshëndetjet përfundimtare për besimtarët e mbledhur në oborrin e Pallatit Apostolik të Kastel Gandolfos, Benedikti XVI nuk harroi studentët dhe profesorët e universiteteve, që fillojnë vitin akademik. Papa i inkurajoi pedagogët të vazhdojnë me zell misionin e tyre të lartë në shërbim të rinisë. Universiteti, nënvizoi Ati i Shenjtë, duhet të jetë vendi, ku jetohet vëllazërimi, ku Zoti nuk mund të mungojë:
“I ftoj të rriturit, që në të gjitha rrethanat, t’i edukojnë të rinjtë ta vlerësojnë e të kujdesen për njëri-tjetrin, e ta kërkojnë Zotin”.
Në fund, Papa përshëndeti me përzemërsi bashkësinë e Kastel Gandolfos, me të cilën ndau tre muajt e verës. Siç e thamë, sot, Benedikti XVI u kthye në Vatikan.







All the contents on this site are copyrighted ©.