2012-10-01 19:17:09

Benedikti XVI: nga shën Tereza e Krishtit Fëmijë mësojmë shkencën e vërtet të dashurisë.


Papa Benedikti XVI në katekizmin e audiencës së sotme të përgjithshme, mbajtur në sheshin e shën Pjetrit në Vatikan, foli për një nga Shenjtoret më të dashura në botë, Terezën e Lisië-s. Shpirt i dashuruar pa masë me Krishtin e me të gjithë njerëzit, nga meshtarët- tek ata që janë larg Krishtit, Shenjtorja karmelitane e mbushi me dritë mbarë Kishën me doktrinën e saj të thellë shpirtërore, pohoi Benedikti XVI. Ashtu si në raste të tjera, Papa tregoi shkurtimisht jetën e protagonistes së reflektimit të tij. Por në këtë rast, përshkrimi i historisë së një shenjtoreje, që u bë e famshme pikërisht për jetëshkrimin e saj “Historia e një shpirti”, i dha katekizmit një bukuri të veçantë. Duke marrë shtytjen nga faqet e kësaj kryevepre, Papa pohoi:
“Është libër, që pati një sukses të menjëhershëm. U përkthye në shumë gjuhë e u përhap në mbarë botën. Ju ftoj ta zbuloni përsëri këtë thesar të vogël, e shumë të madh njëheresh, këtë koment të ndritur të Ungjillit, të jetuar plotësisht. Historia e një shpirti është histori e mrekullueshme Dashurie, e treguar me vërtetësi, thjeshtësi e freski të tillë, që e mahnit menjëherë lexuesin! Po cila është kjo dashuri, që e mbushi përplot gjithë jetën e Shën Terezës, që nga foshnjëria, deri në vdekje? Miq të shtrenjtë, kjo dashuri ka një Emër. Quhet Jezus!”.
Nga hiri në hir, Tereza arriti të zgjedhë kuvendin, pasi e pati zbuluar forcën e dashurisë për Krishtin e Kryqëzuar dhe sigurinë se lutjet e saj do të arrinin te këmbët e fronit të Hyjit, edhe sikur të kërkonte mëshirë për kriminelin më të tmerrshëm, gjë që edhe e bëri, kur ishte vetëm 14 vjeçe. Vërejti Papa:
“Është përvoja e parë e themelore e amësisë shpirtërore: ‘Kisha besim të patundur në Mëshirën e pakufishme të Jezusit’, shkruan. Duke pasur gjithnjë pranë Zojën e Bekuar, Tereza, në moshë fare të re, do, beson e shpreson me zemër nëne”.
Ende adoleshente, ajo e ndjen veten nënë shpirtërore. Hyn në kuvend, pa i mbushur ende 15 vjetët, me leje të jashtëzakonshme nga Papa Leoni XIII. Ditën kur bën kushtet rregulltare, paraqitet në elter si ‘nusja’ më e lumtur e kësaj bote, sepse ‘Nuse e Krishtit’:
“Në të njëjtën ditë, Shenjtorja shkruan një lutje, që flet për tërë orientimin e jetës së saj: i kërkon Krishtit dhuratën e dashurisë së pafundme, i kërkon të jetë më e vogla ndërmjet njerëzve e, sidomos, i kërkon, me gjithë zemër, shëlbimin e mbarë njerëzimit. Duke ia kushtuar gjithë jetën, i drejton uratën: “Të lutem, o Zot, që sot të mos dënohet asnjë shpirt”.
Në Karmelin e Lisië-së, Tereza bëhet prijëse, bëhet “shkencëtare” në shkencën e jashtëzakonshme të dhurimit të plotë të vetvetes. E pikërisht këtë mendoi Gjon Pali II, kur e shpalli Dijetare (Doktoreshë) të Kishës në vitin 1997. E këtu Benedikti XVI iu drejtua doktorëve të sotëm të Kishës, teologëve, duke i ftuar t’i kushtohen kësaj shkence me madhështinë e përvujtërinë e Shën Terezës:
“Me përvujtëri e dashuri, me fe e shpresë, Tereza hyn vazhdimisht në zemër të Shkrimit Shenjt, që përfshin Misterin e Krishtit. Një lexim i tillë i Biblës, i ushqyer nga shkenca e dashurisë, nuk i kundërvihet aspak shkencës akademike. Shkenca e shenjtorëve, për të cilën flet në faqen e fundit të ‘Historisë së një shpirti’, është shkenca më e lartë”.
Një shpirt i zjarrtë, si i saji, nuk mund të mos i digjte etapat, që çojnë në shenjtëri. Vetëm nëntë vjet i mjaftuan për të skicuar ‘atë udhë të vogël” në të cilën shkëlqen madhështia e saj. “Prova tejet e dhimbshme e fesë” dhe humbja e vazhdueshme e shëndetit, që nisi qysh nga viti 1896, një vit para vdekjes, nuk e shuajnë, kujtoi Benedikti XVI, dashurinë e ëmbël të Shenjtores, që jetoi e vdiq me buzë në gaz. “Gëzimi im je Ti. Kur të dua, zemra ime është plot me Ty” – shkruan Tereza duke iu drejtuar Jezusit; e ky është edhe sekreti i lumturisë së saj, tha Papa. Një dashuri pa fund për Krishtin, bashkuar me besim shembullor në mëshirën e Tij:
“Besim e dashuri, pra, janë pikat kulmore e rrëfimit të jetës së saj. Dy fjalë, që si dy fanarë, ia ndriçuan gjithë udhën e shenjtërisë, për t’u prirë edhe të tjerëve, për t’u treguar të gjithëve, udhën e saj të vogël të besimit e të dashurisë së madhe, të fëmijërisë shpirtërore”.
Ndërmjet përshëndetjeve drejtuar grupeve të pranishme në audiencë, Benedikti XVI, duke folur në gjuhën angleze, kujtoi posaçërisht delegacionin e Kolegjit të Mbrojtjes të NATO-s si dhe besimtarët e një grupi të madh, të devotshëm të Shenjtërores të së Shenjtnueshmes Trini në Vale Pietra të Italisë, jo larg nga Subjakos. Të shumëdashur, u tha Papa, duke ju falënderuar për praninë tuaj, ju porosis ta mbani të gjallë traditën e shtegtimit në këtë Shenjtërore, rrënjët e së cilës shtrihen në thellësitë e tokës suaj”.







All the contents on this site are copyrighted ©.