2012-10-01 18:02:08

950-vjetori i dioqezës së Sapës – dëshmi e lashtë e krishterimit ndër shqiptarë.


Dioqeza e lashtë shqiptare e Sapës (1062 – 2012) kremtoi solemnisht 950-vjetorin e themelimit, këtë të fund jave që kaloi, e pikërisht të shtunën. I pranishëm Delegati i Papës Benediktit XVI, kardinali Castello, episkopati i Shqipërisë e shumë të tjerë. Duke iu referuar të dhënave që jep Annuario Ponteficio, të dhënat zyrtare të Kishës Katolike në botë, atëherë viti themelimit të dioqezës së Sapës është viti 1062. Në këtë vit të bekuar të Vitit të Zotit 2012 mbushen plotë 950 vjet të themelimit të saj.Qyteti i hershëm i Sapës është zhdukur nga faqja e dheut, kanë mbetur vetëm rrënojat e Kishës Katedrale të Shën Mihillit. Kjo për arsye të luftërave dhe pushtimeve që ka pësuar populli dhe vendi ynë. Në fillim e rrënuan tartarët rreth vitit 1240, pastaj më vonë osmanët por edhe fatkeqësitë natyrore, tërmetet. Por, selia ipeshkvnore e Sapës ka arritur të mbijetojë gjatë të gjitha vështirësive dhe ajo sot vazhdon jetën e saj, dhe po i mbush 950 vjet jete e besim në Krishtin Zot, duke i qëndruar besnik Zotit, Papës (Selisë Shenjte) dhe duke u vu në shërbim të besimtarëve për shëlbimin e shpirtrave. Kjo është Kisha e Krishtit e moçme në ekzistencën e saj dhe e re në veprim për të mirën dhe shpëtimin e njerëzimit.
Ja sherbimi i Violeta Marashit rreth kremtimit Jubilar qe u mbajt ne Vau-Dejes
Që nga data 5 janar 2012, Kisha jonë Dioqezane e Sapës po jeton vitin e hirit të Zotit duke kujtuar 950 vjetorin e themelimit të saj. Gjatë këtij viti e gjithë jeta dioqezane ka gëzuar me kremtime dhe aktivitete të pasura shpirtërore, fetare, historike dhe kulturore, pa harruar dhe dhimbjen që na shoqëroi para dy javësh: ishte vullnesa e Zotit që pikërisht në këtë vit Jubilar në mënyrë të papritur dhe të parakohshme të thirrë tek vetja për në banesën e amshuar, meshtarin e ri Dom Genc Tukun.
Megjithatë, kremtimi qendror i këtij Jubileu u zhvillua në ditën e Shën Mëhillit, ( 29 shtator 2012) pajtorit të Dioqezës, nëpërmjet celebrimit të Meshës Shenjte mbajtur në Katedralen Nënë Tereza në Vau-Dejës. Me rastin e këtij Jubileu, Papa Benedikti XVI na nderoi shumë nëpërmjet të dërguarit të Tij, Eminenca e Tij Kardinal Santos Abril y Castello. Në këtë kremtim madhështor dhe historik ishin të pranishëm hierarkia më e lartë e Kishës Katolike në Shqipëri, Ipeshkëvi i Kosovës, meshtarë e motra, si dhe një pjesëmarrje e jashtëzakonshme e popullit të Zotit. Nderoi me praninë e tij edhe kryeministri i vendit, Z. Sali Berisha, kryeparlamentarja e Shqipërisë, znj. Jozefina Topalli ministra e deputetë, ambasadorë të akredituar në Shqipëri dhe miq e dashamir të tjerë.
Në fillimet e kremtimit liturgjik, përshëndeti Ipeshkëvi i vendit Imzot Lucjan Avgustini me fjalët “Qoftë bekuar ai që vjen në emër të Zotit”. Ai shprehi falenderimin e thellë ndaj Atit të Shenjtë, i cili në mënyrë të veçantë ishte i pranishëm në personin e të dërguarit të veçantë për këtë kremtim jubilar, Eminencës së Tij Kardinalit Castello. Më pas Nunci Apostolik, Imzot Ramiro Moliner Ingles lexoi dekretin e Papës në lidhje me emërimin e të dërguarit të tij të jashtëzakonshëm Kardinal Castellon për kremtimin historik të Jubileut të Dioqezës së Sapës.
Vetë Eminenca e Tij, Kardinal Santos Abril y Castello gjatë fjalës së tij theksoi fjalët e Atit të Shenjtë, i cili më porositi tha ai “që t’ju bëj të njohur afektin e tij dhe kujdesin e Tij, ndërsa lutet derisa porosia e Krishtit të përhapet gjërësisht në ju që kremtoni kujtimin e 100 vjetorit të pavarësisë. Ai shpreson tha Eminenca e Tij, “që e gjithë kjo të prodhojë frute të reja në fushën fetare dhe njerëzore”. Ndërkohë Kardinali tha se Papa e njeh mirë rëndësinë e vjetërsisë së kësaj bashkësie kishtare të Dioqezës së Sapës që kremton 950 vjetorin e themelimit të saj. Njeh botërisht që mbetjet e qytetit të vjetër dhe të Kishës Katedrale të Shën Mëhillit ekzistojnë akoma edhe sot. Duke parë dhe fenomenet e ndryshme që po ndodhin në Shqipëri në lidhje me jetën e njerëzve, Papa vë në dukje se “dëshiron përzemërsisht që të forcohen zemrat e besimtarëve dhe të arrihet paqja me Zotin dhe të tjerët”. Dhe kjo do të jetë udha drejt paqes shoqërore përfundoi Kardinali.
Edhe Kryeministri z. Sali Berisha shprehi falenderimin më të thellë ndaj Eminencës së Tij, Kardinal Castellos për mesazhin e shkëlqyer dhe frymëzues që solli nga Ati i Shenjtë në këtë ngjarje madhore për Dioqezën e Sapës dhe në këtë 100 vjetor për Shqipërinë dhe Shqiptarët.
I gjithë kremtimi përfundoi me lutjen e Jubileut të Dioqezës: “O Zot, përforcoje me fuqinë e Shpirtit Shenjt Kishën tonë Dioqezane në Shqipëri, pastroje prej çdo së keqeje dhe mësimi të gabuar dhe bëj që me fe të pathyeshme duke ndjekur shembullin e të parëve tanë dhe martirëve, të jemi një bashkësi e vetme dhe dëshmitarë të vërtetë të fesë”. Mbi kremtimet solemne që u mbajtën me një pjesëmarrje korale të klerit e të besimtarëve në Katedralen e së Lumes Nënë Terezë në Vua-Dejës, të ndjekim shërbimin e Violeta Marashit.........RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.