Çelësi i fjalëve të Kishës: falja, sipas Papës Benedikti XVI
Falja është lajmi i përditshëm për të cilin do të kishte nevojë bota. Na e kujton
këtë edhe Ungjilli, në pjesën ku Jezu Krishti e fton Pjetrin ta falë të afërmin e
vet fajtor shtatëdhjetë herë, shumëzim për shtatë, pra gjithmonë. Por çfarë është
“falja”? Do ta shpjegojmë sot këtë fjalë, duke u nisur nga katekizmi i Papës
Benedikti XVI. Bota nuk mund të përmirësohet, nëse nuk e kapërcejmë të keqen,
pati thënë Ati i Shenjtë, në Mbrëmësoret e kremtuara në Aosta të Italisë, më 25 korrik
2005, gati i sapozgjedhur në fronin e Shën Pjetrit. Dhe e keqja mund të kapërcehet
vetëm me anë të faljes. Natyrisht, falja duhet të jetë e vërtetë e këtë lloj faljeje
mund të na e japë vetëm Zoti. Kjo falje, e largon të keqen jo vetëm me fjalë, por
e shndërron atë. Se si ndodh kjo, na e shpjegon Papa: “Të falësh nuk është
të mos e vrasësh mendjen, por të shndërrosh, të transformosh: Zoti duhet të hyjë në
këtë botë e, oqeanit të padrejtësive t’i vendosë përballë oqeanin më të madh të së
mirës e të dashurisë” (Mbrëmësoret në Aosta, 24 korrik 2005). Nuk ka drejtësi
pa falje, kujton Benedikti XVI, por, njëkohësisht, falja nuk e zëvendëson drejtësinë
e nuk do të thotë t’i bëjmë lëshime së keqes. Mëkati duhet denoncuar gjithmonë. Ky
është kuptimi i faljes për krishterimin, i cili shkon edhe më tej, pasi bën të lindë
një ide e re për drejtësinë. Ajo nuk kufizohet vetëm në dënimin e fajit, por pajton
e shëron edhe aty ku nuk jemi në gjendje ta shprehim dashurinë për tjetrin, e cila,
natyrisht, kërkon impenjim e sakrifica: “Ndërsa Zoti nuk lodhet prej nesh,
nuk lodhet së pasuri durim me ne e me mëshirën e vet pa fund na paraprin gjithmonë,
vjen të na takojë i pari” (Audienca e përgjithshme, 30 maj 2012). Në të vërtetë,
falja ekziston para fajit, ashtu si jeta para vdekjes, ashtu si Zoti ekziston para
njeriut. Mëkati i parë është mohimi i këtij rendi ekzistencial. Falja është mrekullia
më e madhe e Hyjit, është sinonim i jetës, është shërimi, që Zoti na jep për të na
çliruar nga kthetrat e vdekjes për shkak të mëkatit. Të falim shtatëdhjetë herë, shumëzim
për shtatë, thotë Jezusi, sepse edhe ne vetë kemi nevojë që të tjerët të sillen me
ne kështu, që të na falin, që të na falë Zoti: “Jezusi… na fton të bëjmë diçka
të vështirë, të lutemi edhe për ata, që na bëjnë keq, na dëmtojnë, duke u mësuar të
falim gjithmonë, që drita e Hyjit të na e shndrisë zemrën; Krishti na fton ta jetojmë,
në lutje, të njëjtën mëshirë e dashuri, që Zoti ka për ne: ‘na i fal fajet e mëkatet
tona, ashtu si i falim ne fajtorët tanë’, themi çdo ditë në ‘Atynën’”. (Audienca e
përgjithshme, 15 shkurt 2012).