2012-09-28 18:28:48

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 26-të 'B'


"Më parë njeriu se e vërteta!". Të nderuar miq ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës. Kësaj herët do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të Liturgjisë Hyjnore të dielës së 26-të gjatë vitit kishtar, ciklit të dytë, sipas kalendarit liturgjik të Kishës.
Me këtë të diele kalojmë nga shtatori në muajin tetor, të cilin Kisha në mënyrë të posaçme ia kushton nderimit të Shenjtënueshmes Mari Virgjër e Misioneve. Përmes Ungjillit të kësaj së diele, Jezusi vijon mësimi i tij mbi atë që duhet të karakterizon jetën e bashkësisë së tij, e të çdo bashkësie që vërtetë don të quhet dhe të jetë e krishterë.
Pas thirrjes për të marrë mbi vete kryqin çdo ditë e për t’u bërë, më përvujtëri, shërbëtor i të gjithëve, në pjesën ungjillore të kësaj së diele, Jezusi na mëson se si bashkësia e tij duhet ta ketë zemrën e hapur për të pritur e për të pranuar të mirën kudo ajo lulëzon e nga kushdo që bëhet, sepse e mira nuk është pronë ekskluzive e një grupi apo ndonjë tjetri; e kësaj apo asaj Kishe apo bashkësie të veçantë. E mira është e Zotit dhe vetëm Zoti e ka të drejtën e autorësinë mbi të mirën, kudo e nga kushdo që ajo bëhet.
Dashuria për të dalluar e njohur në fytyrën e çdo njeriu vet fytyrën e Zotit, dhe radikalitetin për të ecur gjurmëve të ungjillit; një radikalitet kaq të nevojshëm që shërben për të përforcuar në fe të krishterët e ligshtë e të paqëndrueshëm e të luhatshëm. Pra, zemra e hapur; dashuria; radikaliteti ungjillor: janë një projekt që nuk realizohet kurrë njëherë e përgjithmonë por lypet realizuar kurdoherë me ndihmën e Zotin. Për këtë të kërkojmë me lutje mbështetjen dhe hirin e tij Hyjnor.
Ekziston ndër njerëz e madje edhe në besimtarë tundimi i monopolizimit të Zotit
Kush është Zoti i vërtetë, a mund ta shtrembërojë njeriu imazhin e tij të vërtetë? Janë këto pyetjet dhe drita që liturgjia e kësaj të diele dëshiron të na japë.
Shpirti i Zotit vepron lirisht, ai mund të nxjerrë bij të Abrahamit edhe nga gurët, zëri i tij mund të dëgjohet dhe të bëjë të dëgjohet nga njerëz dhe mjete njerëzore të paparashikuara dhe të pamenduara. Zoti është i lirë në dhënien e dhuratave të tij, duke vepruar përtej skemave mendore dhe strukturave të ngurtësuara, duke e lejuar profecinë edhe jashtë “tendës”.
Leximi i parë nga Libri i Numrave na paraqet zemërimin e Jozuehut, i cili duke parë se Shpirti i Zotit shkon përtej kufijve të ngurtë të rendit të shtatëdhjetë pleqve, i drejtohet Moisiut me kërkesën e tij integraliste “Ndaloji!”. Përballë këtij këndvështrimi të shërbesës së shpëtimit si zotërim dhe privilegj, Moisiu i përgjigjet duke kremtuar shkëlqimin e lirisë dhe të bujarisë së Perëndisë.
Ky është edhe qëndrimi i Jezusit në ungjillin e Markut. Ai i fton dishepujt e tij të respektojnë dhe të presin me besim, duke parë në ata “që nuk janë të tanët” jo një armik ose konkurrues, por një sintoni të brendshme që mund t’i shndërrojë në miq dhe bashkërrugëtues të besimit. Jezusi i fton dishepujt e tij të ekzaminojnë sjelljen e tyre shoqërore (këmba dhe dora) dhe personale (syri) për të shmangur që siguria e krenarisë vetjake të kthehet në një rrënjë ligësie për vëllezërit që janë ende në kërkim të Zotit.
Institucionet janë nisëm e Zotit, por është e rëndësishme edhe përdorimi i tyre. Profetët nuk pushojnë së kujtuari se Hyji është i lirë në mënyrë sovrane. Ai mund të heqë dorë nga tempulli, nëse ai nuk i shërben adhurimit të tij, mbretëria e Davidit mund të mbarojë, nëse mbretërit nuk i shërbejnë atij. Zoti Jahve mund të arrijë edhe të dëshirojë tejkalimin e kufijve të ngurtë të popullit të Izraelit.
Edhe Krishti i përdor institucionet fetare të kohës së tij, por me liri dhe duke i tejkaluar ato. Shpirti fryn aty ku dëshiron dhe nuk është i lidhur nga asnjë strukturë njerëzore.
Tundimi i përhershëm i besimtarit është ajo e “sekuestrimit” të Zotit, e monopolizimit, duke e mbyllur Zotin në siguritë vetjake, duke e ezauruar atë në strukturat dhe institucionet tona.
Për ne atëherë bëhet urgjente nevoja njohjes dhe e pranimit të përtejshmërisë së Zotit dhe lirisë së tij, e kërkimit të vullnetit të tij në jetën tonë të përditshme. E kishte kuptuar më së mirë Shën Tereza e Lisieux-së, të cilën Kisha e përkujton sot, e kuptojnë të gjithë ata besimtarë që nuk pretendojnë ta bëjnë Zotin pjesë të skemave të tyre mendore, por qëndrojnë në kundrimin magjepsës të përtejshmërisë dhe të lirisë së tij, që është burim shpëtimi për të gjithë.
Për këtë arsye kremtojmë eukaristinë e ditës së diel, për këtë arsye edhe për ne besimtarë të këtij çasti historik, eukaristia kthehet në një përvojë çliruese dhe hiri, për t’u mbushur dhe për të bërë të tonën mendësinë dhe këndvështrimin e Zotit të vdekur dhe të ngjallur për shpëtimin tonë.
“Edhe nga krenaria shpëtoje shërbëtorin tënd o Zot
që të mos ketë pushtet mbi mua.
Atëherë do të jem i panjollë,
do të jem i pastër nga mëkati” (Ps. 18/19)
Liturgjia e Fjalës së Zotit

Leximi I Num 11,25-29
Dy burra që nuk i përkisnin grupit të të shtatëdhjetëve të zgjedhur nga Moisiu, marrin Shpirtin e profecisë. Për këtë arsye Jozuehu është xheloz për ta dhe i kërkon Moisiut t’i ndalojë që të profetizojnë. Shpirti i Hyjit fryn aty ku do. Është e nevojshme të dimë të njohim veprimin e tij dhe të pranojmë me përvujtëri ndërhyrjet e tij kudo që të shfaqen.

Lexim prej Librit të Numrave (11,25-29)

Në ato ditë, Zoti zbriti në re dhe zuri të bisedojë me Moisiun. Nga shpirti që ishte në Moisiun mori dhe u dha shtatëdhjetë burrave pleq. Kur Shpirti pushoi mbi ta, filluan të profetizojnë, por këtë nuk e bënë askurrë më. Porse dy pleq ndenjën në tëbanishtë. Njëri quhej Eldad e tjetri Medad. Edhe mbi ta pushoi Shpirti. Edhe këta ishin shënuar, por nuk erdhën te tenda. Kur filluan të profetizojnë në tëbanishtë, vrapoi një djalosh e i tregoi Moisiut me këto fjalë: “Eldadi e Medadi po profetizojnë në tëbanishtë!” Jozuehu, biri i Nunit, që Moisiu e kishte zgjedhur t’i shërbejë qysh të ri, tha menjëherë: “Ndalojua, Imzot, Moisi!” Kurse Moisiu përgjigj: “Po a ke smirë për mua? Eh, po të ishte e mundur që i tërë populli të profetizojë e Zoti t’ia jepte Shpirtin e vet!”
Fjala e Zotit.
Falënderojmë Hyjin.

Psalmi 18/19,8.10-14)
Urdhërimet e Zotit japin gëzim

I përsosur është Ligji i Zotit,
shpirtin përtërin;
për t’u besuar është Dëshmia e Zotit,
të miturve u jep dijen.

E panjollë është frika e Zotit,
nuk ndërron në shekuj të shekujve;
gjyqet e Zotit janë të vërteta, të gjitha njënjë të drejta.

Më të çmueshme se ari, se më i pastri ar,
më të ëmbla se mjalti, se hoja që rrjedh mjaltë.
Ruaje shërbëtorin tënd, o Zot, prej krenisë,
që të mos më zotërojë ajo;
atëherë do të jem i patëmetë,
i pastër krejtësisht prej mëkatit të madh.

Shërbëtori yt me kujdes i mëson:
t’i mbash ato është fitesë e madhe.
Porse kush i heton gabimet?
Më pastro, o Zot, prej mëkateve të fshehta

Leximi II Jak 5,1-6
Është skandaloze, pohon apostulli Jakob, që një i krishterë zotërues i pasurive të mëdha, harron të varfrit që kanë të drejtë të jenë të ndihmuar. Nuk ekziston një pasuri individuale dhe kolektive që të jetë e pafajshme: do të thotë, kombet e pasura apo personat e pasur janë pasuruar gjithnjë e më shumë në kurriz të kombeve të varfra apo të personave të varfër.

Lexim prej Letrës së shën Jakobit apostull ( 5,1-6)

Kujdes, tani ju, o pasanikë! Qani dhe vajtoni për të këqijat që do të vijnë mbi ju! Pasuria juaj u kalb dhe petkat tuaja i brejti tenja. Ari dhe argjendi juaj u ndryshk dhe ndryshku i tyre do të bëhet dëshmi kundër jush dhe do ta hajë trupin tuaj porsi zjarr! Keni mbledhur visare për ditët e fundit! Ja! Paga që u hëngrët punëtorëve që ju korrën arat, bërtet; dhe ofshama e korrëtarëve arriti në veshët e Zotërisë së ushtrive! Jetuat mbi tokë plot luks dhe u këndellet në ëndje të prujta, i ushqyet zemrat tuaja për ditën e therjes! E dënuat, e vratë të drejtin: ai nuk ju kundërshton.
Fjala e Zotit.
Falënderojmë Hyjin.

Aleluja. Aleluja.
Fjala jote, o Zot, është e vërteta: na shenjtëro në të vërtetën.
Aleluja.

Ungjilli Mk 9, 38-43.45.47-48
Jezusi qorton dishepujt që nuk tolerojnë dhe u kujton atyre që askush nuk mund të monoplizojë besimin në Krishtin. Të veprojnë në emër të tij do të thotë që ata duhet të pranojnë vetveten, të rinjihen si vëllezër: ja një nga shenjat dalluese të Kishës primitive. Kështu duhet të jetë gjithmonë Kisha armike e çdo diskriminimi, shenjë dhe vend vëllazërimi.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Markut (9, 38-43.45.47-48)
Në atë kohë, Gjoni i tha Jezusit: “Mësues, e pamë një njeri që i dëbonte djajtë në Emër tënd. Ne ia ndaluam, sepse ai nuk na ndiqte.” Jezusi i tha: “Mos ia ndaloni! Sepse s’ka njeri që të mund të bëjë mrekulli në Emrin tim e menjëherë pastaj të flasë keq për mua. Kush nuk është kundër nesh, është me ne. Ai që do t’ju japë të pini një gotë ujë përse jeni të Krishtit, për të vërtetë po ju them: me siguri nuk do ta humbë shpërblimin e vet. Porse, për atë që mëson ndonjërin prej këtyre të vegjëlve që besojnë në mua të mëkatojë, do t’ishte më mirë t’i varej rreth qafës guri i mullirit e të hidhej në det. Prandaj, nëse dora jote të çon në mëkat, preje! Më mirë është për ty të hysh dorëcung në jetë se me të dy duart të shkosh në ferr – në zjarr që s’fiket kurrë. E nëse këmba jote të çon në mëkat, preje! Më mirë është për ty të hysh në jetë i çalë se t’i kesh të dy këmbët e të hidhesh në ferr. Po qe se edhe syri yt të çon në mëkat, nxirre! Më mirë është për ty të hysh në Mbretërinë e Hyjit me një sy se t’i kesh të dy e të hidhesh në ferr ku krimbi i tyre nuk cof e zjarri nuk fiket.
Fjala e Zotit.
Lavdi të qoftë ty, o Krisht!

Më shumë mbi programin tonë kushtuar Liturgjisë së Fjalës së Zotit të së dielës së 26-të gjatë vitit, mund të dëgjoni këtu…RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.