2012-09-28 17:35:11

Kryeipeshkvi i maronitëve të Qipros mbi shpresat e “Pranverës arabe”


Kryeipeshkvi i maronitëve të Qipros, imzot Jusef Suaif, libanez me origjinë, foli javën e kaluar në Bruksel, para Komisionit të Episkopateve të Bashkimit Evropian, për frytet e “Pranverës arabe”. Duhet kohë, tha ai, dhe mjaft durim. Tani është çasti i duhur për të qenë të pranishëm në dialog, për të punuar me institucionet shoqërore, kulturore e qytetare të Lindjes së Mesme. E duhet vepruar shpejt, pasi dy të tretat e bashkësisë së krishterë janë larguar, për shembull, nga Iraku, por e njëjta gjë po ndodh edhe në Siri e në vende të tjera. Është eksod i vërtetë, që varfëron Kishën, bashkësitë lokale dhe shoqërinë civile, theksoi imzot Suaif, i cili kritikoi edhe shtypin e televizionin, që nuk ndihmojnë në krijimin e vetëdijes mbi gjendjen e të krishterëve. Kryeipeshkvi maronit i Qipros përmendi Nxitjen Apostolike pas-sinodale “Kisha në Lindjen e Mesme”, e cila përvijon një rrugë 20-25 vjeçare për arritjen e pjekurisë së shoqërive të rajonit. Sidomos temat e kapitullit të dytë, si ekumenizmi i shpirtit dhe i shërbimit, dialogu ndërfetar në jetën e përditshme, laiciteti i shëndoshë, liria fetare, janë sfida pozitive, që nëse përballohen me sukses, do t’i shërbenin si përvojë botës mbarë.







All the contents on this site are copyrighted ©.