2012-09-28 17:19:01

Jozefina Topalli priti kard. Santos Abryl y Castello: 100-vjetori i Pavarësisë e vlerat shpirtërore të shqiptarëve në qendër të bisedës


Delegati i Papës Benediktit XVI për kremtimet Jubilare të 950-vjetorit të themelimit të dioqezës së Sapës, që po mbahet këto ditë në Vau-Dejës. Me rastin e vizitës së tij në Shqipëri, kardinali Santos Abryl y Castello takoi autoritetet e larta shtetërore. Kështu, dje më 27 shtator në Tiran,
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli priti për vizitë Kardinalin Abril Y Castello. Gjatë këtij takimi, kardinali Castello i shprehu kryeparlamentares së Shqipërisë urimet më të mira me rastin e 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë, e kujtojmë se me këtë rast Vatikani, do të sjellë, për herë të parë në histori, për t’u ekspozuar në Tiranë veprën origjinale më të lashtë në gjuhën shqipe, ‘Mesharin’ e Gjon Buzukut, që daton nga viti 1555.
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli shprehu mirënjohjen për mbështetjen e gjithanshme që Vatikani i ka dhënë Shqipërisë, jo vetëm në inkurajimin dhe kapërcimin e momenteve të vështira që la pas regjimi komunist, por në gjithë rrugën e zhvillimit të Vendit ndër vite.

"Vij me shumë kënaqësi në Shqipëri, një Vend për të cilin unë kam shumë njohuri. Unë ndodhem këtu në emër të Shkëlqesisë së tij, Papës Benediktit XVI, i cili ndjek me shumë vëmendje dhe interes zhvillimet në Shqipëri dhe mesazhi që ne duam të përcjellim është ai i mbështetjes për Shqipërinë dhe popullin shqiptar" u shpreh mes tjerash Kardinali Abril Y Castello.
Kryetarja e parlamentit të Shqipërisë dhe Kardinali Castello u ndalën gjerësisht tek modeli i jashtëzakonshëm që Shqipëria ka, atë të tolerancës e harmoninë ndërfetare. "Shqipëria shërben si një shembull me të cilën i flet mbarë botës se si bashkëjetohet në solidaritet, tolerancë dhe harmoni fetare. Është një ndër të paktat Vende ku numri i strehimit të hebrenjve gjatë Holokaustit u rrit në krahasim me periudhën para luftës. Në ditët e sotme, kur shumë vende përballen me akte dhune, Shqipëria është një model që i tregon njerëzimit vlerat e vërteta të bashkëjetesës fetare", tha kryetarja e Kuvendit të Tiranës.

Kardinali Abril Y Castello shprehu mbështetjen e Vatikanit dhe vlerësoi përpjekjet dhe aspiratën e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, ndërsa theksoi se ka ardhur koha që Evropa të jetë e bashkuar me vlerat dhe solidaritetin e bashkëjetesës.

"Iu shpreh mbështetjen e Vatikanit në rrugën drejt anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Shqipëria ka shumë çka t’i japë Evropës, është një vend i vogël por me vlera të mëdha, të cilat Evropa duhet t’i ketë si pjesë të saj. Shekujt që kanë kaluar na kanë dhënë shumë mësime, ndaj dhe sot është koha që Evropa të jetë e bashkuar me vlerat dhe solidaritetin e bashkëjetesës" u shpreh hirësia e tij, kardinali Castello.
Gjatë takimit, kryetarja Topalli kërkoi mbështetjen e Kardinalit Abril Y Castello për përshpejtimin e procesit të 40 martirëve të Kishës katolike shqiptare nga ana e Vatikanit, shumica e këtyre 40 martirëve shqiptarë janë ekzekutuar për Fe e Atdhe në vitet 1944 nga diktatura komuniste ateiste. Kardinali Abril Y Castello, theksoi se do të bëhej avokat i kësaj çështje në Vatikan, si një kauzë e rëndësishme, që siç tha ai, e ka ndjekur vet personalisht.







All the contents on this site are copyrighted ©.