Një Papë i butë, por i vendosur, besnik ndaj traditës e i gatshëm për rinovim.
34 vjet më parë ndërroi jetë Ati i Shenjtë Gjon Pali I 34 vjet më parë, më
28 shtator 1978, shuhej Papa Albino Luçiani, pas vetëm 33 ditë papnie. Ishte 65 vjeç.
Qëndroi në fronin e Shën Pjetrit për një kohë tejet të shkurtër, por që i mjaftoi
për të fituar dashurinë e njerëzve, besimtarë e jo. Benedikti XVI e ka quajtur shpesh
njeri “të ëmbël e të butë”, por njëkohësisht “të fortë në fe, të vendosur në parime,
gjithnjë gati të mirëpriste me buzëqeshje”. “Si meshtar, si ipeshkëv e si Papë
– nënvizon Jozef Racinger – ishte i palodhur në veprimtarinë baritore, duke nxitur
vazhdimisht klerin dhe laikët të ndiqnin… idealin e vetëm të përbashkët të shenjtërisë.
Mësues i së vërtetës e katekist i pasionuar, u kujtonte besimtarëve, me thjeshtësinë
tërheqëse, që e karakterizonte, impenjimin e gëzimin e ungjillëzimit, duke theksuar
bukurinë e dashurisë së krishterë, forca e vetme, në gjendje të mundte dhunën e të
ndërtonte njerëzimin vëllazëror”. Por ishte “përvujtëria”, karakteristika kryesore
e Gjon Palit I, vëren Papa aktual. “Humilitas” ishte motoja e tij ipeshkvnore, e për
Gjon Palin I ky ishte një virtyt i domosdoshëm për ata që janë të thirrur në krye
të Kishës: “Në një nga katër audiencat e përgjithshme të mbajtura gjatë papnisë
së tij tejet të shkurtër, tha ndër të tjera, me tonin familjar që e dallonte: “Po
kufizohem në rekomandimin e një virtyti, shumë të dashur për Hyjin, i cili na ka thënë:
mësoni nga unë, që jam i butë e me zemër të përvuajtur… Edhe nëse keni bërë gjëra
të mëdha, thoni: jemi shërbëtorë të padobishëm. E vërejti: ‘Përkundrazi, prirja jonë
është e kundërta: të dukemi’ (Mësimet e Gjon Palit I, f. 51-52). Përvujtëria mund
të konsiderohet testamenti i tij shpirtëror. Falë këtij virtyti, mjaftuan 33 ditë,
që Papa Luçiani t’u hynte njerëzve në zemër” (Lutja e Engjëllit të Tënzot 28 shtator
2008) Një nga pjesët ungjillore më të preferuara për Gjon Palin I ishte thirrja
e Jezusit: “nëse nuk ktheheni e nëse nuk bëheni si fëmijë, nuk do të hyni në mbretërinë
e qiellit”. E Benedikti XVI e kujton kështu në Lutjen e Engjëllit të Tënzot, më 28
shtator 2008: “Duhet të ndjehemi të vegjël para Zotit’, tha po në atë audiencë.
E shtoi: ‘Nuk kam turp të ndjehem si fëmijë para nënës: i besohet nënës, unë i besoj
Zotit, asaj që Ai më ka zbuluar’ (ivi, f. 49). Këto fjalë tregojnë thellësinë e fesë
së tij. Ndërsa falënderojmë Zotin, që ia dhuroi Kishës e botës, të mësojmë nga shembulli
i tij, duke u impenjuar t’i ngjajmë në atë përvujtëri, e cila e bëri të aftë t’u fliste
të gjithëve, sidomos më të vegjëlve e më të largëtëve” (Lutja e Engjëllit të Tënzot
28 shtator 2008) Benedikti XVI kujton së fundi, edhe përkushtimin e Albino
Luçianit për Zojën: “Kur ishte Patrik i Venedikut, shkroi: ‘Është e pamundur
ta kuptojmë jetën tonë, jetën e Kishës, pa rruzaren, pa festat mariane, pa shenjtëroret
mariane e pa figurat e Zojës’. Është bukur ta pranojmë këtë ftesë, siç bëri ai, duke
i besuar përvujtërisht shën Marisë sekretin e qetësisë së përditshme e të impenjimit
me fakte për paqen në botë”. (Fjala e 8 tetorit 2006)