2012-09-28 13:04:51

Benedikti XVI: shën Vençeslau na kujton se pushteti i botës është i trishtë dhe jetëshkurtër


Benedikti XVI: shën Vençeslau na kujton se lumturia e vërtetë është në Krishtin, pushteti i botës është i trishtë dhe jetëshkurtër. Gjatë shtegtimit apostolik të Benedikti XVI në Republikën Çeke, më 28 shtator 2009, pikërisht në festën kushtuar shën Vençeslaut, martir, Pajtor Qiellor i kombit Çekë, në Meshën e solemnitetit të sotëm liturgjik, që ishte edhe pika kulmore e vizitës së Atit të Shenjtë Ratcinger, në një vend si Çekia, me tradita të lashta të krishtera, por aktualisht, me një ateizëm që përhapet me shpejtësi por ndoshta diçka po ndryshon, Papa theksoi se shën Vençeslau na kujton se lumturia e vërtetë është në Krishtin, pushteti i botës është i trishtë dhe jetëshkurtër. Para se të kremtonte meshën para 45 mijë vetëve, në Stara Boleslav, vendi i martirizimit të shën Vençeslaut, Papa nderoi reliket e shenjtit në Bazilikën që i kushtohet atij. Më pas nënvizoi se pushteti i botës është jetëshkurtër e sjell veç trishtim: vetëm Krishti dhuron lumturinë e vërtetë, që mbetet përgjithmonë. E Papa Jozef Ratcinger i ftoi të gjithë të imitojnë shën Vençeslaun, mbretin bohem, i cili dha jetën për të ndjekur me besnikëri Krishtin. Por a është akoma aktual shenjtërimi i jetës ? – pyeti Ati i Shenjtë Benedikti XVI. Në këtë moment kërkohen më tepër suksesi e lavdia njerëzore, të cilat – nënvizoi Papa Ratcinger – janë jetëshkurtër, siç e ka treguar historia e kësaj toke, ku të pushtetshmit kanë rënë njëri pas tjetrit, pavarësisht se dukej sikur s’do të kishin fund:
“Kush mohon e vazhdon të mohojë Zotin e, për pasojë, nuk respekton njeriun, duket sikur e ka të lehtë për të pasur suksese materiale. Por mjafton ta gërvishtim pak sipërfaqen për të parë se këta janë persona të trishtuar e të pakënaqur. Vetëm kush ruan në zemër të shenjtën “frikë të Tënzot” ka besim edhe tek njeriu dhe e kalon jetën duke ndërtuar një botë më të drejtë e më vëllazërore”.
Sot – tha më 28 shtator 2009 Papa – ka nevojë për njerëz besimtarë e të besueshëm, të gatshëm për t’u flijuar, për të përhapur idealet e krishtera. Është ajo rruga “e ngushtë” e shenjtërisë, që na ka treguar Krishti: “Kush dëshiron të vijë pas meje, ta mohojë vetveten, të marrë kryqin e të më ndjekë”:
“Sigurisht është gjuhë e ashpër, e vështirë për t’u pranuar e për t’u vënë në praktikë, por dëshmia e shenjtorëve dhe e shenjtoreve na siguron se kjo është e mundur për të gjithë, nëse besojmë dhe e lemë veten në dorë të Krishtit. Shembulli i tyre u jep guxim të krishterëve për të qenë të besueshëm, pra, koherent me parimet e fenë, që shpallin. Me të vërtetë, nuk mjafton të dukemi të mirë e të ndershëm; duhet të jemi me gjithë mend të tillë. Dhe i mirë e i ndershëm është ai që nuk e mbulon me vetveten dritën e Zotit, nuk vë përpara veten, por lë që të duket Zoti”.
Ky është leksioni që na jep shën Vençeslau, Mbret që pati guximin të vinte përpara Mbretërinë e Qiellit, më tepër se pushtetin tokësor. Ai ndërtoi Kisha, ndihmoi të varfrit, mbrojti vejushat, nuk toleroi padrejtësitë. E në fund, e fali të vëllain, para se ky të jepte urdhër ta vrisnin, për t’i marrë fronin e pushtetin:
“Vençeslau vdiq si martir për Krishtin. Është interesant të vihet re se vëllai Boleslav, duke e vrarë, arriti të hipë në fronin e Pragës, por kurora mbretërore që pasardhësit e tij do të mbanin në kokë nuk mban emrin e tij. Mban emrin e Vençeslaut, duke dëshmuar se ‘froni i mbretit që i gjykon të varfrit me drejtësi mbetet në amshim”.
(Homelia e Benediktit XVI gjatë Meshës së 28 shtator 2009, në Stara Boleslav të Pragës).







All the contents on this site are copyrighted ©.