2012-09-27 15:40:44

Ipeshkvijtë evropianë në San Galen për të diskutuar për çështje feje e sfida shoqërore


“Sfidat e kohës sonë: aspekte shoqërore e shpirtërore”: kjo është tema e asamblesë së përgjithshme të kryetarëve të Konferencës Ipeshkvnore të Evropës, të cilët janë mbledhur në San Galen të Zvicrës, që sot e deri më 30 shtator, për të diskutuar mbi çështje feje, por edhe mbi sfidat shoqërore bashkohore. Intervistuam zëdhënësin e Sekretariatit të Këshillit të ipeshkvijve evropianë, Tierrì Bonaventura:
Para së gjithash, flasim për sfida e jo për probleme. Ipeshkvijtë deshën ta përdorin këtë term për të nënvizuar mundësinë, që ndryshimet aktuale, veçanërisht në Evropë, të jenë edhe rast për ta përforcuar fenë, për ta rritur kohezionin shoqëror, i cili këto kohë po kalon vështirësi për shkak të krizës ekonomike.
Ndër argumentet e asamblesë është edhe veprimtaria e Bashkimit Evropian dhe e Këshillit të Evropës. Cili është kontributi, që duan të japin ipeshkvijtë në Evropën e sotme, në të cilën qytetarët janë gjithnjë e më të pakënaqur nga institucionet?
Është e nevojshme që ipeshjkvijtë ta kuptojnë mirë se ç’po ndodh. Natyrisht, nuk u takon atyre të thonë si duhet të veprojë Këshilli i Evropës dhe institucionet e Brukselit, por duhet të kontribuojmë që t’u kthejmë qytetarëve besimin e humbur, sidomos të krishterëve, të cilët, nganjëherë, diskriminohen pikërisht për fenë e tyre. Nuk mund të themi se ata persekutohen në Evropë, por në mënyrë shumë të hollë, në nivelin legjislativ e sidomos në mendësinë e njerëzve, po hyn një formë diskriminimi e intolerance kundër të krishterëve. Ky është një fakt i ri! Evropa e krishterë largon – nëse mund të themi kështu – besimtarët e saj, qytetarët e saj.
Asambleja do të flasë edhe për Vitin e Fesë e për 50-vjetorin e hapjes së Koncilit II të Vatikanit. Rast për debat ky, apo jo?
Vetë asambleja, në një farë mënyre, i përfshin këto dy tematika. Pikë së pari, duhet thënë se këtë vit, Asambleja e Përgjithshme merr gati formën e një shtegtimi. Në San Galen, kremtohet 1.400 vjetori i mbërritjes së shenjtit irlandez, shën Gal në këtë qytet, që mban emrin e tij. Prandaj, përmasa shpirtërore e shtegtimit, kremtimet do të kenë rol të rëndësishëm në takimin tonë. Por do t’i kushtojmë hapësirë edhe përmasës së bashkimit vëllazëror, kolegjialitetit, shoshitjes së problemeve, dialogut: të gjitha elemente tipike të Koncilit II të Vatikanit. Edhe vetë këshilli i Konferencave Ipeshkvnore Evropiane lindi pak pas përfundimit të punimeve të Koncilit, me dëshirën e ipeshkvijve për të rijetuar përvojën konciliare. Pastaj, duhet të kujtojmë edhe 20-vjetorin e botimit të Katekizmit të Kishës Katolike… Takimi është gati një formë kremtimi i këtyre dy çasteve të rëndësishme: feja dhe Koncili II i Vatikanit.







All the contents on this site are copyrighted ©.