2012-09-27 13:53:53

Benedikti XVI: fitorja me çdo kusht e abuzimi me ilaçet e shkatërrojnë sportin


Të njihet e të respektohet dinjiteti i njeriut, që qëndron pas çdo atleti: kështu u tha sot Papa ekspertëve të mjekësisë sportive, të cilët i priti në audiencë në Kastel Gandolfo. Mjekët marrin pjesë në Kongresin e 32-të Botëror Fims të Mjekësisë Sportive, që ka filluar sot në Romë e do të përfundojë më 30 shtator. Por ja ç’tha Benedikti XVI:
“Nganjëherë, suksesi, fama, medaljet e fitimet bëhen e vetmja përparësi dhe objektiv i atyre, që merren me sport”.
Ati i Shenjtë shpjegoi se për të fituar me çdo kusht, shkelet me këmbë fryma e vërtetë e garës. E denoncoi:
“…abuzimin e keqpërdorimin e mjeteve në dispozicion të mjekësisë moderne”.
Sportisti, vazhdoi Papa, është më shumë se konkurrent në një garë, sepse pas çdo atleti qëndron njeriu, i thirrur nga Zoti të përsoset moralisht e shpirtërisht, më parë se fizikisht. Që këndej, këshilla për ekspertët e mjekësisë sportive:
“Në këtë mënyrë, ju do të jeni protagonistë jo vetëm të shëndetit fizik e të përsosmërisë atlektike, por edhe të përtëritjes morale, shpirtërore e kulturore”.
E Benedikti XVI citoi shën Palin Apostull, i cili, në Letrën drejtuar Korintianëve, e lidh ngushtë stërvitjen fizike me autokontrollin e trupit, me anë të jetës shpirtërore. Papa kujtoi bukurinë, misterin dhe mundësitë e çdo njeriu, atlet ose jo.
Është hera e parë që Kongresi Botëror i Mjekësisë Sportive zhvillohet në kryeqytetin italian. Në të marrin pjesë përfaqësues nga 117 vende në pesë kontinentet. Pas urimeve për punimet e tij, Ati i Shenjtë e përfundoi audiencën, duke theksuar aftësinë pozitive të sportit për të bashkuar njerëz e popuj, siç u pa në Olimpiadën dhe në Paraolimpiadën e Londrës, ku elementi më domethënës, qe vërtet gara, por në emër të paqes.







All the contents on this site are copyrighted ©.