2012-09-25 16:45:45

Takimet e dom Mikel Tarabulluzit në shenjë të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë


Madhështia e priftit katolik dom Mikel Tarabulluzit, të shtunën e kaluar ka tuboi në fshatin Stubëll të Karadakut të Kosovës, qindra qytetarë nga e gjithë gjeografia shqiptare e diaspora. Në fshatin Stubëll, u mbajt manifestimi tradicional ‘Takimet e dom Mikelit’ 2012, të 23–tat me radhë. I gjithë fshati ishte stolisur kuq e zi, ndërsa në majë t’Kodrës Stubllavaqë, rrezet e diellit shndrisnin një Flamur gjigant Kombëtar me përmasa 10 metra me 5, i dhuruar nga familja Jashari nga Prekazi, në këtë 100 vjetor të Pavarësisë së Shqipërisë, për nder të të cilit u mbajt edhe akademia solemne në famullinë kishtare të ‘Shën Jozefit’. Famullitari dom Albert Jakaj, kryeorganizator i këtij manifestimi përshëndeti të pranishmit e vuri në pah rëndësinë e shkollës së parë shqipe të vitit 1905, hapur nga prifti katolik, pishtari i dritës, dom Mikel Tarabulluzi.
Ambasador i Shqipërisë në Kosovë, Islam Lauka tha se, jemi dëshmitarë të një zgjimi të popullit tonë që nisi këtu në Stubëll, ku shkolla shqipe nisi rrugëtimin e vet për mos u ndalur kurrë, duke nënvizuar faktin se, shqiptarët arritën me dinjitet të sfidojnë një shekull tepër të rëndë.
Mehmet Bardhi deputet në Kuvendin e Malit të Zi, foli gjatë për pozitën ende të pavolitshme te shqiptarëve në këtë vend, ndërsa Albin Kurti nënvizoi se, gjuha shqipe dhe shkronjat e saj dolën nga njerëz të mëdhenj që e deshën kombin e vet, siç ishte edhe dom. Mikeli. Referuan në vazhdim edhe shkencëtarë e luftëtarë nga trevat tona shqiptare, në mesin e tyre edhe Anton Çuni për Betejën e Koshares në të cilën heroikisht në luftën e fundit është thyer kufiri i hekurt mes shqiptarëve.
Më pas, ipeshkvi i Kosovës, imzot Dodë Gjergji, bashkë me kryeimamin e Vitisë, Feim Abazi, në mënyrë solemne Bekuan Flamurin Kombëtar. ‘Na janë dashur 100 vjet që të arrijmë në këtë ditë, kur të lirë po bëjmë Bekimin e Flamurit Kombëtar’, tha imzot Dodë Gjergji. Ai bëri thirrje që shqiptarët t’i ruajnë familjet e tyre, sepse siç tha, pa familje të shëndoshë nuk ka komb, ndërsa nga intelektualët kërkoi që të jenë në shërbim të së vërtetës së drejtë dhe që Gjuha Shqipe mos të shërbejë për ta luftuar njëri-tjetrin. Pas Bekimit të Flamurit Kombëtar, përfaqësuesit e familjeve të dr. Rugovës, Adem Jasharit, Agim Ramadanit dhe struktura tjera, nënshkruan Deklaratën që nga Stublla martire të nis rrugëtimi për bashkimin kombëtar.’
’Me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë mbështesim idenë për bashkimin e trojeve etnike shqiptare në kuadër të Bashkimit Evropian dhe zotohemi se, do të punojmë me përkushtim në realizimin e kësaj ideje’’, thuhet në këtë Deklaratë, e cila do të ruhet në Muzeun Historik, hapur në shkollën e parë shqipe të Stubllës. Për herë të parë në takimet e sivjetme të dom Mikelit, u nda edhe çmimi ‘Pavarësia’ me të cilin post mortum u nderua arkitekti i Pavarësisë së Kosovës dr. Ibrahim Rugova.
Por, nuk ishte këtu fundi, kremtimi vazhdoi në Sallën e rinisë, me Orën e madhe letrare me karakter garues, në të cilën vargjet e tyre i deklamuan 40 poetë nga të gjitha trevat shqiptare, e cila u gërshetua me një program të bukur këngë e vallesh duke krijuar atmosferë madhështore festive për pjesëmarrësit në ‘Takimet e Dom. Mikel Tarabulluzit’ në Stubëll, Malësia e Karadakut.
Shërbimi i Rabie Ibraj nga Prishtina............RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.