2012-09-25 18:34:00

Presidenti Nishani: Nënë Tereza ka mësuar afrimin e njerëzve me njëri-tjetrin.


"Nënë Tereza ka zhdukur kufijtë duke i afruar njerëzit me njëri-tjetrin", tha Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, gjatë përurimit të Kopshtit Kulturor Shqiptar "Nënë Tereza" në Cleveland, të SHBA-së. E vertete mund të themi se e Lumja Nënë Terezë, Gonxhe Bojaxhiu, është edhe Ambasadore e shpirtit dhe kulturës shqiptare në Bashkinë e SHBA-së të Klivlendit, në Ohajo. Me kërkesën bërë në vitin 2009 nga komuniteti shqiptaro-amerikan, të shtunën e kaluar në parkun “Rockfeller” të Klivlend, Ohajo, u festuar ngritja e Kopshtit Kulturor shqiptar, me zbulimin mes shumë emocionesh të Trupores së gjatë prej bronzi të së Lumes shqiptare, Nënë Terezë, Engjëllit të të varfërve, lapsit të Zotit, fitueses së çmimit Nobel për paqen për shërbimin e dashurinë e saj ndaj të varfëve.
Sipas zyrës së shtypit pranë presidencës shqiptare, Presidenti Nishani, gjatë fjalës së mbajtur me këtë rast vlerësoi Shenjtoren shqiptare si dritën e shpresës dhe respektit.
Kreu i Shtetit të Shqipërisë Nishani theksoi se me Përmendoren e Nënë Terezës, Kopshti Kulturor Shqiptar e nderon humanisten e shquar shqiptare, e cila mbetet frymëzim për vlerat më të larta njerëzore dhe krenaria e të gjithë shqiptarëve që jetojnë e punojnë në Cleveland.
Presidenti Shqipërisë Nishani uroi gjithashtu që Kopshti Kulturor "Nënë Tereza" të shndërrohet në një vend shtegtimi të Clevelandit, e shprehu gjithashtu mirënjohjen e tij dhe të popullit shqiptar për popullin mik amerikan dhe kontributin e tij të rëndësishëm për Shqipërinë.
Në këtë veprimtari të organizuar nga Shoqata Shqiptaro-Amerikane e Clevelandit merrnin pjesë kryetari i Bashkisë së Clevelandit, Frank Jackson, ambasadori i Shqipërisë në SHBA-së, Gilbert Galanxhi, kryetari i Bashkisë së Fierit, Baftjar Zeqaj, përfaqësues të diasporës shqiptare dhe qindra qytëtarë të Clevelandit dhe rrethinave.
Gjatë ceremonisë, Presidenti Shqipërisë Nishani zbuloi shtatoren kushtuar "Nënë Terezës", akt ky që shënoi çeljen e Kopshtit Kulturor Shqiptar, i cili do të pasurohet më tej me shtatore të personaliteteve të tjerë të kulturës shqiptare.
Gjatë qëndrimit në Cleveland, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani e nderoi Shoqatën Shqiptaro-Amerikane të Clevelandit me Urdhrin "Naim Frashëri i Artë", për punën e palodhur në promovimin e kulturës dhe imazhit të Shqipërisë dhe shqiptarëve në Cleveland.







All the contents on this site are copyrighted ©.