Gjendja në Siri vazhdon të jetë jashtëzakonisht e tensionuar. Sot paradite, në Damask,
shpërtheu një bombë, e cila mund të ketë shkaktuar shumë viktima, por versioni zyrtar
flet vetëm për 7 të plagosur. Sulmi u mor përsipër nga grupi i “Shokëve të Islamit”,
formacion sunit ekstremist, që vepron në rajon. Ndërkaq, raporti i organizatës humanitare
“Save the children” denoncon tortura e tmerre kundër fëmijëve. E vazhdon edhe sekuestrimi
i të krishterëve – maronitë e greko-katolikë – në fshatin Rableh, në kufi me Libanin.
Pasi u morën peng dje 150 vetë, sot, 90 civilë të tjerë u ndalën dhe u rrëmbyen nga
banda të armatosura, për t’u vendosur në një shkollë të lokalitetit Gousseh. Ndërkaq,
janë liruar gratë e marra peng më parë. Gjatë ditëve të kaluara, tre nga të krishterët
e rrëmbyer, janë gjetur të vrarë. Sipas një meshtari, që ka kërkuar anonimatin, nuk
është fjala për persekutim, por për një manovër, që synon të përhapë dyshime e mosbesim
dhe të nxisë një luftë ndërmjet feve. Fatkeqësisht, përpjekjet për lirimin e
pengjeve hasin shumë pengesa, sepse banda nuk ka si pikë referimi kryengritësit sirianë
të organizuar. Në të gjithë Sirinë, ka rreth 2000 grupe të tilla, pa kontroll. Për
Patrikun greko-katolik të Damaskut, Gregorios III Laham, kemi të bëjmë me një gjest
të paparë, që e zhyt në humnerën e frikës bashkësinë e krishterë të vendit. Patriku
u bën thirrje OKB-së e Kryqit të Kuq që të ndërmjetësojnë për lirimin e pengjeve.