2012-09-25 14:31:40

Imzot Shomali: Zoti nuk do ta lejojë kurrë zhdukjen e të krishterëve nga Toka Shenjte


Udhëtimi i Papës në Liban ishte i rëndësishëm jo vetëm për dorëzimin e Nxitjes Apostolike pas-sinodale “Kisha në Lindjen e Mesme”, por edhe sepse i ktheu sytë e botës nga ai rajon i martirizuar. Vazhdohet të flitet sidomos për të krishterët e Tokës Shenjte dhe për largimin e tyre nga trojet e të parëve. Mbi arsyet, që i shtyjnë, intervistuam ipeshkvin ndihmës të Patriarkatit latin të Jeruzalemit, imzot Uiliam Shomali:
Them me optimizëm të moderuar se Zoti nuk do ta lejojë kurrë zhdukjen e të krishterëve nga Toka Shenjte. Provë për këtë është ky paradoks: 160 vjet më parë, kur të krishterët përfaqësonin 10% të gjithë Palestinës – sipas statistikave të Konsullatës Franceze të kohës, në vitin 1848 – numri i tyre arrinte vetëm në 21 mijë në krejt Tokën Shenjte, që do të thotë në Galile, në zonën e Jeruzalemit e të Betlehemit; tani, po pakësohemi e po bëhemi 2% në gjithë Tokën Shenjte, pra në Izrael e në Territoret palestineze. Por, jemi 180 mijë vetë, plus 230 mijë punëtorët e huaj, plus rusët e emigruar. Paradoksalisht, numri është rritur, pavarësisht se përqindja zvogëlohet. Prandaj, them se Zoti nuk do të lejojë kurrë zhdukjen e të krishterëve nga Betlehemi, Nazareti e Jeruzalemi. Por, nga pikpamja statistikore, jemi më pak. Për shembull, 60 vjet më parë, në Betlehem ishim gjysëm për gjysëm, ndërsa sot, në të gjithë zonën arrijmë në 30 mijë vetë, në një popullsi prej 200 mijë personash. Kjo do të thotë se jemi 15% e popullsisë.
Çfarë e shkakton eksodin e të krishterëve nga Toka Shenjte? A ka forma diskriminimi kundër tyre?
Para së gjithash, situata ekonomike e detyron të krishterin të niset për të gjetur punë, për vete e për familjen. Ekonomia e Palestinës kushtëzohet edhe nga gjendja politike: pushtimi izraelit natyrisht, por më parë, ishte mandati anglez e lufta civile; e më parë se lufta civile kishim regjimin turk, që nuk ishte i lehtë. Pra, me keqësimin e situatës ekonomike, gjithçka është kthyer kundër të krishterëve. Megjithëse jemi pakicë, gëzojmë lirinë fetare e kjo mund të duket si paradoks, sepse ndokush mund të thotë: po si ka mundësi, u sulmuat në Latrun?! U sulmuat këtu, apo atje! Është e vërtetë, por këto janë ngjarje të jashtëzakonshme, që nuk ndodhin përditë. Grafitet mbi ndonjë kishë, apo profanimi i ndonjë varreze, janë ngjarje të jashtëzakonshme, jo të përditshme. Ne e kemi lirinë fetare. Arsyet e ikjes së të krishterëve janë kryesisht politike dhe ekonomike.
Sipas jush, ç’duhet bërë që të krishterët të mos ikin nga Toka Shenjte?
Para së gjithash, u duhet dhënë atyre besim, u duhet thënë se prania e tyre është e rëndësishme, është dëshmi. Janë lindur në Tokën Shenjte, sepse vetë Zoti i ka dashur aty. Pra, ata duhet ta shohin qëndrimin e tyre në rajon edhe në këndvështrimin fetar e jo vetëm material. E dyta: mbështetja morale është shumë e rëndësishme. Të gjitha shtegtimet, vizitat në famulli, që bëhen nga të krishterët e vendeve të tjera, janë shumë të rëndësishme për të krishterët tanë, sepse e ndjejnë se nuk janë vetëm. Së treti, është e nevojshme të mbështeten të gjitha projektet edukative, shëndetësore, ndërtimet e shtëpive në favor të të krishterëve. Kjo e plotëson përpjekjen shpirtërore e përkrahjen morale.







All the contents on this site are copyrighted ©.