Ekonomia botërore po e merr veten gradualisht, por është akoma e dobët dhe nuk jep
siguri. Drejtoresha e FMN-së, Kristinë Lagard, duke folur në Uashington për takimin
e ardhshëm të Fondit e të Bankës Botërore, në Tokio nga 9 deri më 14 tetor, nuk dha
shifra, por deklaroi se, sipas vlerësimeve, prodhimi ekonomik do të ulet. Pavarësisht
nga përpjekjet e mëdha, Evropa mbetet problem. Nuk dihet akoma, nëse ajo do t’i mbajë
premtimet për bashkimin e qëndrueshëm e të frytshëm bankar e fiskal. Fondi shpreh
shqetësime edhe për të ashtuquajturin “fiscal cliff”, apo për vendimet që duhet të
marrë Kongresi i SHBA-së në fund të vitit, përsa i përket kufirit maksimal të borxhit
publik e fundit të ndihmave fiskale të epokës së presidentit Bush. Mungesa e marrëveshjes
për këto dy pika e bllokon ekonominë më të madhe të botës, natyrisht, me pasoja globale.
Së fundi, ngadalësimi i zhvillimit të Kinës dhe i vendeve të tjera si ajo, së bashku
me paqëndrueshmërinë e theksuar në Lindjen e Mesme, bëjnë që ekonomia të shihet në
rënie. Lagard i kërkoi klasës politike botërore t’i përballojë me guxim sfidat e të
mbajë premtimet e dhëna, pasi problemi kryesor i ekonomisë është pikërisht pasiguria.