2012-09-25 14:32:36

Brahimi në OKB: lufta civile në Siri, gati pa rrugëdalje


Përsa i përket krizës siriane, nuk ka perspektiva, ose zgjidhje afatshkurtra. Ky qe pohimi pa doreza i ndërmjetësuesit ndërkombëtar, Lakhdar Brahimi, i cili foli dje para Asamblesë së përgjithshme të OKB-së mbi rrugëdaljet nga lufta civile në Siri.
I dërguari i OKB-së dhe i Lidhjes Arabe në zonë raportoi se në vend, luftojnë rreth 5 mijë të huaj, së bashku me kryengritësit, dhe shpjegoi se torturat e burgosjet janë bërë tashmë “rutinë”. Madje, civilët kanë frikë të shkojnë në spital për kurim. Sipas Brahimit, rreth 1 milion sirianë kanë braktisur shtëpitë. Diplomati algjerin theksoi nevojën e një zgjidhjeje politike, që plotëson kërkesat e ligjshme të popullit, edhe pse, rëndimi i gjendjes në Siri ka pasoja për paqen e sigurinë në gjithë rajonin e Lindjes së Mesme. Ai shpjegoi se për regjimin e presidentit Bashar Al Asad, konflikti është rezultat i ndërhyrjes së huaj. “Nuk kam ndonjë plan të plotë për Sirinë, tani për tani – pranoi Lakhdar Brahimi – por kam disa ide e, pas takimeve në Nju Jork, do të kthehem në rajon për të vendosur si duhet vepruar”.







All the contents on this site are copyrighted ©.