Patriku maronit i Libanit i kërkon OKB-së të ndalojë fyerjet kundër feve
Patriku maronit Beshara Raji i kërkon OKB-së të gjejë një zgjidhje për ndalimin e
fyerjeve kundër feve. Propozimi u bë sot, në fillim të një takimi islamo-kristian
me dyer të mbyllura, në selinë e tij në Bkerke të Libanit. Përsa i përket filmit amerikan,
Patriku sqaroi se ai fyen jo vetëm myslimanët dhe profetin e tyre Muhamet, por edhe
të krishterët e çdo fe tjetër. “Ne nuk kënaqemi vetëm me dënimin e tij – tha ai para
mbledhjes. I kërkojmë bashkësisë ndërkombëtare të dalë me një rezolutë të OKB-së,
që dënon denigrimin e feve”. Takimi i Bkerke-së u bë me kërkesën e Myftiut të
Madh sunit të Libanit, shehut Mohammad Rashid Qabbani, për të diskutuar pikërisht
për sulmet kundër Islamit. Por, në mbledhjen e sotme u fol edhe për situatën e vështirë
ekonomike libaneze dhe për Nxitjen Apostolike të Benediktit XVI “Kisha në Lindjen
e Mesme”, të cilën Papa ua dorëzoi ipeshkvijve të rajonit, gjatë udhëtimit të tij
të fundit në Liban.