Papa në Engjëllin e Tënzot: lutuni për të krishterët e Lindjes së Mesme e për paqen
Benedikti XVI bëri dje një thirrje të fuqishme për paqen në Lindjen e Mesme, gjatë
Lutjes së Engjëllit të Tënzot, në Kastel Gandolfo. Duke iu drejtuar shtegtarëve të
gjuhës franceze, Ati i Shenjtë u kërkoi besimtarëve të luten për të krishterët e Lindjes
së Mesme dhe për dialogun ndërfetar: “Vazhdoni të luteni për të krishterët
e Lindjes së Mesme, për paqen dhe për dialogun e qetë ndërmjet feve”. Para
këtyre fjalëve, Papa u ndal në Ungjillin e së dielës, i cili na tregon sa larg janë
nga pikpamja shpirtërore Jezusi e dishepujt: “Gjenden, nëse mund të themi kështu,
në dy frekuenca të ndryshme valësh, prandaj fjalët e Mësuesit nuk kuptohen, ose kuptohen
vetëm sipërfaqshëm. Shën Pjetri Apostull, pasi shfaq fenë e tij në Jezusin, i lejon
vetes ta kritikojë, sepse Krishti parashikoi se do të refuzohej e do të vritej”. Ka
edhe shenja të tjera për këtë distancë, e cila na kujton se logjika e Zotit është
gjithnjë e ndryshme, sheh më lart se e jona. Prandaj, tha Papa, ndjekja e gjurmëve
të Hyjit kërkon nga njeriu një kthim të thellë të zemrës, kërkon ndryshimin e mënyrës
së të menduarit e të jetuarit, kërkon ta hapim zemrën e të dëgjojmë Fjalën e Zotit,
që të na shndrisë e të na shndërrojë nga brenda: “Një pikë kyç, ku shihet ndryshimi
ndërmjet Zotit e njeriut, është mendjemadhësia: Zoti nuk është mendjemadh, sepse Ai
është plotësia vetë e priret gjithmonë ta dojë e ta dhurojë jetën; ndërsa, në njerëzit,
mendjemadhësia i ka rrënjët e thella e kërkon vigjilenzë e spastrim të vazhdueshëm”. Ne,
që jemi të vegjël, vazhdoi Benedikti XVI, duam të dukemi të mëdhenj, të jemi të parët,
ndërsa Zoti, që është vërtet i madh, nuk ka frikë të përulet e të bëhet i fundit ndër
të fundëm. Ati i Shenjtë dha si shembull për t’u ndjekur Virgjërën Mari, e cila “u
sintonizua” përsosurisht me Hyjin. Gjatë përshëndetjeve, Papa kujtoi se dje u
shpall i Lum në Troyes të Francës, meshtari Louis Brisson, themelues i Oblateve dhe
i Oblatëve të Shën Françeskut të Sales. Pastaj, duke iu drejtuar shtegtarëve polakë,
uroi që “çdo fëmijë të mund të gëzojë dashurinë dhe ngrohtësinë familjare”. E të gjithë
fëmijët, të kenë kushte të denja për jetën e edukimin e tyre. Së fundi, shtegtarëve
italianë të Kultivuesve të Drejtpërdrejtë (Coldiretti), të cilët i kanë dhuruar Benediktit
XVI një vresht për Fermën papnore, u tha: “Të dashur miq, e vlerësoj shumë
impenjimin tuaj në favor të mbrojtjes së Gjithësisë e ju falenderoj për dhuratat”.