Më 24 shtator kalendari kujton të Lumen Mari, Virgjër e Mercedes
Sot më 24 shtator kalendari i Kishës katolike kremton të lumen Mari, Virgjër e Mercedes. E
lumja Mari Virgjër e ‘Merced’ – që në spanjisht do të thotë ‘e mëshirës’, njihet si
frymëzuese për themelimin e Urdhrit të lashtë të Mercedarëve, prandaj titulli me të
cilin nderohet, lidhet ngushtë me këtë Urdhër, themeluar nga Shën Pjetër Nolasko (1180-1245).
Pjetri lindi në Tuluzë të Francës rreth vitit 1180 e që në moshë të njomë u vendos,
së bashku me familjen, në Barcelonë të Spanjës. Lajmi i parë mbi praninë e tij
në Barcelonë është ai i viti 1203, kur thellësisht i hidhëruar për fatin e të krishterëve
të kthyer në skllevër nga maurët, asokohe zotëri të një pjese të mirë të Spanjës,
nisi të paraqitej si tregtar, për të hyrë më lirisht ndërmjet muhamedanëve. I veshur
kështu, mundi të hyjë në Valenca, ku çliroi me para më se 300 skllevër. Si shpenzoi
gjithë pasurinë, mblodhi rreth vetes të rinj të tjerë bujarë, me të cilët nisi të
lypte lëmoshë për vijimin e çlirimit të skllevërve të krishterë, duke paguar një shumë
në para ose në sende të tjera, në përkim me moshën, kushtet shoqërore, ekonomike e
fizike të robërve. I frymëzuar nga Virgjëra Mari, më 2 gusht 1218 themeloi Urdhrin
e ri rregulltar, që do t’i kushtohej veprave të mëshirës e sidomos, çlirimit të skllevërve,
edhe me flijimin e vetë jetës, duke zënë vendin e skllavit, kur nuk mund të paguhej
për çlirimin e tij. Kështu rregulltarët, që nisën të njihen me emrin mercedarët, mundën
të çlirojnë më se 52 mijë skllevër. Urdhri rregulltar, të cilit iu shtua edhe
dega femërore e murgeshave mercedare, u miratua nga papa Gregori IX më 17 janar 1235. Kujtojmë
se mercedarët ishin të pranishëm, si kapelanë, në shtegtimin e Kristofor Kolombit,
kur u zbulua kontinenti i ri amerikan, ku themeluan kuvendin e tyre të parë në Santo
Domingo.