2012-09-24 17:44:13

Imzot Massafra: mjaft vrasjeve për hakmarrje!


Mjaft hakmarrjes, kush vret apo bashkëpunon në një vrasje do të përjashtohet nga Kisha: këtë vendim kanë marrë kryedioqeza e Shkodër-Pultit, dioqeza e Sapës dhe dioqeza e Lezhës, veprimtaria baritore e ungjillëzuese e të cilave shtrihet në pjesën veriore të Shqipërisë, zonë e cila muajve të fundit është përshkuar nga një valë e re e përgjakshme e vrasjeve, e hakmarrjeve apo gjakmarrjeve.
“Vrasjet e shumta që vazhdojnë të ndodhin në territorin e Dioqezave tona dhe jo vetëm aty, shumë prej të cilave për gjakmarrje, vënë në dukje se ka persona që nuk e zbatojnë Urdhrin e Hyjit: “Mos Vra”, madje e shkelin atë haptazi, megjithëse e quajnë veten “katolikë të mirë”. Disa vrasin nganjëherë pa asnjë ngurrim ose hakmerren në mënyrë të përgjakshme e barbare. Ata shpesh vetëarsyetohen, duke u mbështetur në një traditë shekullore, e pohojnë se gjoja po zbatojnë Kanunin. Kështu, ata dëshmojnë se i japin më shumë rëndësi traditës së njerëzve se sa ligjit të Hyjit", shkruhet në dekret.
"Kushdo që bën një vrasje ose bashkëpunon që ajo të bëhet ose ndihmon në mënyrë të qëllimshme që ajo të ndodhë, në bazë të nenit 1331 te Kodit të së Drejtës Kanonike ndëshkohet me shkishërim (do të thotë ekskomunikim). Prandaj, në bazë të këtij neni, i shkishëruari nuk mund të marrë pjesë në kremtimet e shenjta të Kishës, nuk mund të marrë Sakramentet (rrëfimin, kungimin, krezmimin, kurorën e shenjtë, urdhrin e shenjtë), nuk mund të marrë sakramendoret, si bekimin e shtëpive, funeralin dhe varrimin e krishterë në varreza katolike", thuhet ne dekret”.
Dekreti i datës 14 shtator 2012, nënshkruar nga imzot Angelo Massafra, imzot Lucjan Avgustini e imzot Ottavio Vitale, përmban shkishërimin e atyre besimtarëve katolikë që bëjnë vrasje ose bashkëpunojnë që ajo të bëhet ose ndihmojnë në mënyrë të qëllimshme që ajo të ndodhë, e kështu në bazë të nenit 1331 të Kodit të së Drejtës Kanonike të Kishës, këta njerëz shkishërohen. Mbi këtë masë ndëshkimore të Kishës së dioqezave të përmendura, të dëgjojmë komentin e njërit prej autorëve, imzot Angelo Massafrën në mikrofonin e Radio Vatikanit..........RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.