2012-09-24 17:00:38

Dom Gaspër Gjini në 82 vjetorin e lindjes


Historiani e teologu që e bëi të njohur Koncilin e II të Vatikanit ndër shqiptare, dom Gaspër Gjini në 82 vjetorin e lindjes. Kanë kaluar 82 vjet nga lindja e dr. dom Gaspër Gjinit. Prifti e studiuesi i madh, lindi më 24 shtator 1930 në Ferizaj, në familjen e madhe të Kolës e të Dushe Gjinit, që lindën, rritën e edukuan 12 fëmijë.
Gaspri u shugurua meshtar më 2 korrik 1955. Më vonë shkoi në Romë, ku pas studimeve në Universitetin Papnor Urbaniana, më 1968 mbrojti doktoratën me temë “Mbi burimet historiko-juridike të Kishës katolike të dioqezës së Shkupit”.
Tërë jetën ia kushtoi veprimtarisë baritore të ungjillëzimit në Kosovë e Maqedoni, në fillim si sekretar i ipeshkvit të dioqezës së Shkup-Prizrenit, më pas si kancelar e si prift famullitar në Ferizaj e në Shkup. Vite me radhë shërbeu si Kryetar i Gjyqit kishtar dioqezan, ishte bashkëpunëtor i zellshëm i revistës fetaro-kulturore të dioqezës së Prizrenit “Drita”. Prifti që shpalosi para botës shqiptare ngjarjen madhore të Koncilit të II të Vatikanit, me tërë risinë dhe rëndësinë që solli në jetën e Kishës e të besimtarëve. Në revistën “Drita” shpjegoi e komentoi dokumentet më të rëndësishme që solli reforma e Koncilit të II të Vatikanit. Gjatë kësaj kohe përpiloi dhe botoi librin e uratëve “Shûjta shpirtërore”.
Mbylli sytë më 7 mars 1985 në spitalin e Beogradit, në sa ishte në kulmin e pjekurisë shkencore.
Njeri me virtyte të rralla, me kulturë poliedrike, don Gaspër Gjini na la trashëgim veprën madhore postume: "Ipeshkvia Shkup -Prizren nëpër shekuj" , botuar në Zagreb, më 1992.







All the contents on this site are copyrighted ©.