2012-09-22 12:34:21

Komisioni “Drejtësi e Paqe, Evropa”: në Pranverën arabe të mbrohet dinjiteti dhe të drejtat e njeriut


Cili është kontributi, që duhet të japë Evropa në proceset e Pranverës arabe? Ky ishte argumenti kryesor i Asamblesë së Komisionit “Drejtësi e Paqe, Evropa”, që përfundoi në Maltë, javën e kaluar. “Si evropianë – thuhet në deklaratën përfundimtare – duhet të respektojmë të drejat e kombeve të tjera për ta zbatuar demokracinë sipas traditave dhe besimeve të tyre fetare, por nuk duhet të injorojmë nevojën për të mbrojtur dinjitetin dhe të drejtat e njeriut”. Element thelbësor në këtë proces është fillimi i dialogut ndërkulturor e ndërfetar. Madje edhe aktivitetet ekonomike, që hapen nga jashtë, për t’i ndihmuar vendet e Pranverës arabe, duhet të jenë me baza etike, duke njohur mire kontekstin politik, shoqëror e kulturor, përndryshe mund të prodhojnë vetëm padrejtësi të reja.
Deklarata përfundimtare tërheq vëmendjen edhe ndaj solidaritetit për refugjatët, që vijnë në Evropë nga këto zona. Normativa aktuale, që mban emrin e Dublinit, parashikon që kërkesa për strehim politik të bëhet në vendin ku mbërrijnë refugjatët, duke shkaktuar presion më të madh në to, në krahasim me pjesën tjetër të Bashkimit Evropian. Bashkëndarja është zgjidhja, sipas Komisionit “Drejtësi e Paqe”. Gjithashtu, është e nevojshme që Bashkimi Evropian, por edhe OKB-ja, të parashikojnë një formë strehimi për arsye ekonomike, ku të përfshihen të gjithë ata, që largohen nga gjendje varfërie të skajshme. Duke pasur parasysh konfliktet në zonë, sidomos atë në Siri, Komisioni përfundon me thirrjen për një traktat, që të kufizojë e të vendosë rregulla të rrepta për tregtinë e armëve, për t’u garantuar të gjithëve një botë më të sigurtë.







All the contents on this site are copyrighted ©.