2012-09-22 12:39:17

Atë Federiko Lombardi: Papa në Liban: misioni i profetit të çarmatosur që i jep forcë paqes


Të krishterët e myslimanët duhet të japin së bashku një dëshmi të sinqertë e të vendosur kundër ndarjeve, dhunës e luftës. Kjo qe thirrja e Papës në audiencën e përgjithshme të së mërkurës, gjatë së cilës Benedikti XVI përshkoi etapat e udhëtimit të tij apostolik në Liban, ku qëndroi nga 14 deri më 16 shtator. Ati i Shenjtë, i cili u dorëzoi ipeshkvijve të Lindjes së Mesme, Nxitjen Apostolike pas-sinodale, i këshilloi ata dhe besimtarët të jenë shembull bashkëjetese. Këtij udhëtimi ia kushton komentin javor edhe zëdhënësi i Vatikanit, atë Federiko Lombardi. Ta dëgjojmë:
Rrallëherë, një mesazh i Papës gjatë një udhëtimi është kuptuar e pranuar me admirim e konsensus gati të njëzëshëm, si në këtë rast. Zërat, që nuk ishin dakord, kanë qenë shumë pak. Me të drejtë! Ishte edhe kjo një shenjë e çmuar e ndjenjës së përgjegjësisë së komunikatorëve. Misioni i profetit të çarmatosur, që shkonte pa dyshime, me vendosmëri, për të folur për paqen në një rajon e në një periudhë konfliktesh e protestash të përgjakura, qe mesazh force jashtëzakonisht i qartë e jo i zakonshëm. Ndërsa gjithçka përreth vazhdon t’ia besojë veten sidomos pushtetit e armëve, duke e shtuar urrejtjen pa pushim, fjalët e dialogut e të respektit të ndërsjelltë, ftesa për pajtim, këshilla për të rinjtë me fe të ndryshme për të ndërtuar së bashku të ardhmen në paqe, u dëgjuan me vërtetësi kristaline e tërheqëse nga goja e “dikujt, që flet me autoritet”, në ndryshim nga mësues të tjerë, më pak të besueshëm.
Veçanërisht inkurajuese, pritja që i bënë Papës krerët fetarë myslimanë të Libanit, të cilët e dëgjuan me respekt dhe disponibilitet mesazhin e paqes e të bashkëpunimit ndërmjet të krishterëve e myslimanëve, për paqen në tokën e tyre, në zemër të Lindjes së Mesme.
Respekti i sinqertë për besimin e tjetrit është në bazën e atyre mendimeve, të atyre fjalëve e gjesteve të paqes, për të cilat Papa foli edhe një herë e për të cilat kanë nevojë të gjithë, në të gjithë botën, tashmë fshat global, për të mos ushqyer pa përgjegjësi reagime të pakontrolluara e të dhunshme. Papa e Kisha Katolike luajnë rolin e tyre për paqen në botë; edhe ata që kanë në dorë pushtetin politik, ushtarak, ose atë të komunikimit duhet të punojnë për këtë impenjim të rëndësishëm për të ardhmen e njerëzimit.







All the contents on this site are copyrighted ©.