Figura e shën Mateut, nga tagrambledhës në apostull.
Emri Maté në hebraisht do të thotë “dhuratë e Zotit”. Figura e Shën Mateut, nga tagrambledhës
në apostull. Kumtimi i Ungjillit i ofron çdo mëkatari faljen e Zotit. Kujtojmë
se Benedikti XVI i kushtoi Mateut katekizmin në audiencën e përgjithshme të 30 gushtit
2006. Apostulli e Ungjilltari Maté na mëson se kush e ndjek pas Krishtin nuk mund
të jetojë i kapur për pasuri të pandershme! Mateu apostull, vjelës i taksave
i thirrur nga Jezusi, ngrihet dhe e ndjek pas, është shembull i atij që ndahet prej
çdo gjëje për të ndjekur Krishtin. Ky është mësimi që Benedikti XVI u ofroi besimtarëve
të pranishëm në audiencën e përgjithshme të datës 30 gusht 2006, mbajtur paradite
në sallën e Palit VI në Vatikan. “Edhe sot – tha PapaRatcinger – nuk është e pranueshme
kapja apo lidhja për ato sende që janë të papajtueshme me udhën e Jezusit, sikur është
rasti i pasurive të pandershme”. Jezusi nuk përjashton askënd nga miqësia e tij
dhe kumtimi i mirë i Ungjillit qëndron pikërisht në dhuratën e hirit të Zotit për
mëkatarin. Më këto fjalë mund ta përmbledhim katekizmin e Atit të Shenjtë Benediktit
XVI, të cilin sot, ia kushtoi figurës së Mateut apostull. Tagrambledhësi që rrinte
ndenjur në bankën e doganës e të cilit Jezusi iu drejtua me fjalët të thjeshta “Eja
mbas meje!” dhe ai menjëherë u ngrit dhe shkoi pas tij, është shembull, nënvizoi Papa
Racinger, i gatishmërisë së përgjigjes së menjëhershme ndaj thirrjes dhe të braktisjes
së çdo gjëje për të ecur në gjurmët e Mësuesit Hyjnor. Ajo e Mateut, është një histori,
vijoi Papa, që ende sot mëson shumëçka: “Është e qartë se Mateu e kuptoi se
familjariteti me Jezusi nuk i mundësonte të vijonte më në aktivitetin që Zoti nuk
e pëlqente, nuk e miratonte. Shumë i lehtë është zbatimi i këtij shembulli për kohën
aktuale: akoma sot nuk është e pranueshme kapja e lidhja për sende që janë të papajtueshme
me ndjekjen e udhës së Jezusit, sikur është rasti i pasurive të pandershme”. Në
të ecurit të Mateut pas Jezusit, shtoi Benedikti XVI, “është legjitime të lexohet
distancimi nga gjendja e mëkatit dhe njëkohësisht aderimi i vetëdijshëm në një jetë
të re”. Në figurën e këtij apostulli, pohoi Ati i Shenjtë Benedikti XVI, “Ungjijtë
na propozojnë një paradoks të vërtetë”: “Kush, në vështrim të parë,duket se
është më larg nga shenjtërimi, mund të bëhet madje deri një shembull i pranimit të
përdëllimit të Zotit e të lejimit të rrezatimit të fryteve të mrekullueshme në ekzistencën
e vet”. Mateu, që në hebraishte domethënë “dhuratë e Zotit”, tagrambledhës,
është një person që sipas botëkuptimit që ishte në fuqi në Izraelin e shekujve të
parë, konsiderohej mëkatar publik. “ Ai përdorte paratë që konsideroheshin të papastërta
për shkak të prejardhjes së tij prej njerëzve që nuk i përkisnin popullit të Zotit”,
shpjegoi Papa, e “bashkëpunonte edhe me autoritetet e huaja, lakmues të urryeshëm,
haraçi i të cilëve mund të vendosej edhe në mënyrë arbitrare”. E megjithëkëtë, Jezusi
e pranon në rrethin e ngushtë të nxënësve të tij, duke dhënë një mësim të madh: “Derisa
ishte në sofër në shtëpinë e Mateut-Levi, e në përgjigje të vërejtjes së atyre që
shkandulloheshin për faktin se Ai (Jezusi) frekuentonte shoqëri jo fortë të rekomandueshme,
shqipton deklaratën e rëndësishme:“Mjeku nuk u duhet të shëndoshëve, por të sëmurve.
Nuk erdha të grish të drejtët, por mëkatarët.” Benedikti XVI kujtoi së fundi
se Mateu është autori i Ungjillit të parë, apostulli e shkroi Ungjillin në gjuhën
hebraike por ne sot e kemi përkthimin e Ungjillit të tij në gjuhën greke. Është një
Ungjill, përfundoi Papa katekizmin e audiencës së 30 gushtit 2006, në të cilin nxënësi
nxiton të shpall përdëllimin shpëtimprurës të Zotit: “Ta dëgjojmë këtë porosi
të Shën Mateut, ta meditojmë gjithmonë e sërish, për të mësuar edhe ne të ngrihemi
e ta ndjekim Jezusin deri në fund e plotësisht”.