2012-09-21 16:10:32

Bëhen të ditura angazhimet e Papës gjatë muajit tetor: Sinodi i Ipeshkvijve, Viti i Fesë e kanonizimi i të Lumturve të ri


Sinodi mbi Ungjillëzimin e Ri, hapja e Vitit të fesë dhe kanonizimi i shtatë të Lumturve të ri: këto janë angazhimet më të mëdha për Papën Benediktin XVI gjatë muajit tetor. Mjeshtri i Kremtimeve Liturgjike Papnore, imzot Guido Marini, bëri të njohur sot detajet e datave të agjendës papnore deri në fillim të nëntorit.
Pra, kremtimi i Sinodit të ipeshkvijve e, akoma më parë, lutja që Sinodi të jetë moment bekimi, hiri e drite për Kishën. Muaji tetor për Papën do të nisë me dy etapa të afërta. Tri ditë para udhëheqjes së Meshës së hapjes së Sinodit mbi Ungjillëzimin e Ri, në program të dielën më 7 tetor në ora 9.30 në Vatikan, Benedikti XVI do të shkojë në shenjtëroren e Loretos për t’u gjunjëzuar tek këmbët e Zojës së Bekuar në Shtëpinë e Shenjtë dhe për t’ia besuar Virgjërës Mari – siç bëri 50 vjet më parë Papa Gjoni XXIII në vigjilje të Koncilit të II të Vatikanit – suksesin e plotë të mbledhjes sinodale të ipeshkvijve.
Mesha e përurimit të Sinodit më 7 tetor do të jetë rast për Atin e Shenjtë Jozef Ratcinger për të shpallur Shën Gjonin e Avilës e Shën Ildegardën nga Bingeni Doktorë të Kishës.
11 tetori, pastaj, është një datë-ngjarje e muajit: gjatë liturgjisë eukaristike, që do të fillojë në ora 10 në Bazilikën e Vatikanit, Benedikti XVI do të përurojë solemnisht Vitin e Fesë.
Ditë e veçantë do të jetë edhe e diela e 21 tetorit kur, Papa do t’i dhurojë nderimit të Kishës universale shtatë dëshmitarë të fesë të epokave të ndryshme. Mesha e kanonizimit të të Lumturve të ri do të nisë në ora 9.30. Shtatë dëshmitarë e fesë janë: Giacomo Berthieu, Pedro Calungsod, Giovanni Battista Piamanta, Maria del Monte Carmelo Sallés y Barangueras, Marianna Cope, Anna Schaffer e Caterina Tekakwitha, shenjtëresha e parë lëkurëkuqe.
Më pas, të dielën, më 28 tetor, Benedikti XVI do të kryesojë Meshën e mbylljes së Sinodit e kështu, në fillim të nëntorit, sipas traditës, do t’i përjetojë dy çaste të forta shpirtërore: më datë 2 nëntor, në ora 18.00 do të zbresë në Kripten e Vatikanit për t’u lutur mbi varret e Papëve të vdekur e një ditë më pas, në Shën Pjetër në Vatikan në ora 11.30 do të kremtojë Meshën e dritës për kardinajt dhe ipeshkvijtë që kanë ndërruar jetë gjatë këtij viti.







All the contents on this site are copyrighted ©.