2012-09-20 13:26:30

Çelësi i fjalëve të Kishës: Zoti është dritë


Ç’nënkuptojmë kur themi se Zoti është “dritë”? Për shembull, thuhet se Hyji është për njeriun, ashtu si drita për ditën. Gjithkush e di se nëse nuk ka dritë, njeriu humbet, trishtohet e vyshket. Thuhet edhe se për ekuilibrin tonë biologjik, ne kemi nevojë për dritën fizike, por Zoti është dritë për inteligjencën e pa Të, nuk mund të kuptojmë asgjë nga misteret, që veshin ekzistencën e njeriut. Ç’nënkuptojmë pra, kur themi se “Zoti është dritë”? Ky është argumenti i emisionit tonë të sotëm.
Shën Augustini thoshte se “duhet të besojmë për të kuptuar”. Psalmet e përshkruajnë Zotin si dritë për zemrat tona, si dritë për sytë e zemrës, dritë e brendshme që na ndriçon jetën, që na ngre në këmbë, kur vuajtja na mbush shpirtin, që na bën të ecim, kur, të dëshpëruar, duam të ndalemi, që na jep mundësi të jetojmë gjithnjë e kudo, si të shihnim të padukshmen: bij të dritës, njerëz që banojnë në dritë, në atë dritë të botës, që na zbulohet në natën e vdekjes, dritë e jetës së shndërruar, dritë e dashurisë…
Në mënyrë të mistershme, Besojma e krishterë e quan Krishtin “dritë prej dritës”. Shën Gjoni Apostull, i cili i këndoi dritës me gjithë shpirt, e ndërthur këtë dritë të ëmbël e hyjnore me çdo fjalë të Ungjillit: “Unë jam drita e botës. Kush vjen pas meje, nuk do të ecë në errësirë, por do ta ketë dritën e jetës”(8,12). Kështu në kapitullin e 8-të, ndërsa në të 12-tin, shkruhet: “Derisa të keni dritë, besoni në dritën, që të bëheni bijtë e dritës”(Gjn 12,36).
Drita në Shkrimin Shenjt paraqitet si e njëjta gjë me gëzimin, pasi të dyja shndrisin fytyrat. Ylli, që udhëheq mbretërit dijetarë drejt Betlehemit, ku lindi Shëlbuesi i njerëzimit, është njëkohësisht gëzim e dritë për ata, që kërkojnë Zotin, siç na kujton shën Bazili: “…duke e parë [yllin], mbretërit dijetarë u mbushën me gëzim të madh”. T’i mbushim edhe ne zemrat me këtë gëzim të madh. Në të vërtetë, këtë gëzim u shpallën engjëjt, barinjve. Me mbretërit dijetarë, adhurojmë; me barinjtë, thurim lavde; me engjëjt, ekzultojmë, “sepse sot lindi një Shëlbues, që është Krishti Zot. Hyji u duk edhe për ne…”.
E duke vazhduar homelinë e tij për Krishtlindjen, shën Bazili i Çezaresë, e përshkruan Krishtin Fëmijë, si dritë qiellore: “Fuqia hyjnore dukej qartë përmes trupit njerëzor si dritë, që duke përshkuar gjymtyrët transparente, ndriçonte ata, që i kishin të pastër sytë e zemrës. Së bashku me ta, qofshim edhe ne në radhët e atyre, që ‘kundrojnë ballëhapur lavdinë e Zotit’, për t’u shndërruar edhe ne nga lavdia në lavdi, në sajë të hirit e të mëshirës së Zotit tonë, Jezu Krishtit (shih 2 Kor 3,18)”.
Për shën Tomën e Akuinit, është bamirësia, dashuria e përsosur për tjetrin, që na shndrit shpirtin dhe na gëzon zemrën. “Bamirësia – shkruan shenjti i madh – na e shndrit shpirtin. Të gjithë ne, siç thoshte Jobi, ‘jemi rrethuar me errësirë’: shpesh nuk e dimë nëse është mirë të bëjmë një gjë, apo jo. E ja, bamirësia, dashuria, na mëson çfarë është vërtet e nevojshme për shëlbim. Ky është kuptimi i fjalëve të shën Gjonit ungjilltar: “Vajimi i Shpirtit Shenjt do t’ju shdrisë për çdo çështje”. Aty ku është Shpirti i Shenjtë, aty është edhe dashuria e Ai, i Gjithëdijshmi, do të na udhëheqë për në udhën kryesore… Së fundi, dashuria i jep njeriut një dinjitet më të lartë”.
E shkalla më e lartë e dritës dhe e gëzimit, është pa dyshim lumnimi. Drita është sërish e pranishme, kur të jemi ballë për ballë me Hyjin, pavarësisht se askush nuk është në gjendje ta thotë këtë me siguri. Shpresa që kemi, është e njëjtë me atë të murgut të përshpirtshëm Guido, çertozin, për të cilin dimë shumë pak, por shkrimi i tij “Letër për jetën kundruese”, është një nga leximet klasike në historinë e përshpirtërisë së krishterë. Shkruan murgu: “O Zot, Jezus, nëse këto lot, që rrjedhin kur të kujtoj e kur dëshiroj të të kem pranë, janë kaq të ëmbla, sa i ëmbël do të jetë vallë, gëzimi kur do të të shoh qartë? Nëse kaq ëmbël derdh lot për Ty, sa ëmbël do të jetë kur të jem me Ty?”. Me shpresën e kësaj drite të ëmbël jetojmë e mbyllim sytë.








All the contents on this site are copyrighted ©.