2012-09-20 14:15:47

Papa, ipeshkvijve të rinj: për ungjillëzimin e ri duhen dëshmitarë të besueshëm


Të gjithë besimtarët janë të thirrur ta marrin seriozisht sfidën e ungjillëzimit të ri: kështu tha sot paradite, Papa Benedikti XVI, i cili priti një grup ipeshkvijsh të rinj në Kastel Gandolfo. Prelatët morën pjesë në një Konferencë të Kongregatës për Ipeshkvijtë në Vatikan. Ati i Shenjtë theksoi se kumtimi i Ungjillit të Krishtit kërkon dëshmitarë të besueshëm. Duhet të keni guximin për ta ftuar çdo njeri në takimin me Jezusin, duhet t’i nxisni njerëzit të thellohen në fe, u tha Papa ipeshkvijve, të cilëve u kërkoi të qëndrojnë të bashkuar me Kishën universale, duke mbrojtur unitetin e fesë. Ipeshkvi, i këshilloi Benedikti XVI, është dëshmitari i parë i fesë për të krishterët, ai, që duhet të japë shembull me jetën e tij se si njeriu mund ta ndjekë Zotin, duke ia besuar vetveten Atij:
“Vërtet, nuk mund të jemi në shërbim të njerëzve, pa qenë më parë, shërbëtorë të Hyjit. Impenjimi juaj personal për shenjtërimin e jetës, duhet të përfshijë përvetësimin e përditshëm të Fjalës së Zotit në lutje, duke u ushqyer me Eukaristinë, për të marrë prej kësaj pjate të dyfishtë limfën jetësore për shërbimin”.
Më pas, duke iu referuar Sinodit për Ungjillëzimin e Ri, Papa vërejti se të gjithë të pagëzuarit janë të thirrur në këtë impenjim, që ipeshkvijtë duhet ta favorizojnë e ta përkrahin, në bashkëpunim me të gjitha realitetet e dioqezës:
“Ungjillëzimi nuk është vepër e disa ekspertëve, por e gjithë Popullit të Zotit, nën udhëheqjen e barinjve. Çdo besimtar, në e me bashkësinë kishtare, duhet të ndihet përgjegjës për kumtimin dhe dëshmimin e Ungjillit”.
Të gjithëve, vazhdoi Papa, u duhet paraqitur thelbi i fesë së krishterë, në një formë të tillë, që t’i përgjigjet nivelit kulturor e kërkesave të botës teknologjike, në të cilën jetojmë. I krishteri duhet të ketë formim të shëndoshë. Benedikti XVI dha si shembull Koncilin II të Vatikanit, i cili qe pikërisht fillimi i ungjillëzimit të ri, i Rrëshajve të reja:
“Ndikimi i atyre Rrëshajëve të reja, pavarësisht nga vështirësitë e kohrave, vazhdon edhe sot, duke prekur jetën e Kishës, me të gjitha shprehjet e saj: që nga ajo institucionale deri tek ajo shpirtërore, që nga pjesëmarrja e besimtarëve laikë në Kishë e deri tek lulëzimi karizmatik e shenjtërimi i jetës”.







All the contents on this site are copyrighted ©.