2012-09-19 16:02:41

Prefekti i ri i Kongregatës për Doktrinën e Fesë: të kapërcehen kundërshtitë ideologjike në Kishë


Të kapërcehen kundërshtitë ideologjike në Kishë e të rizbulohet bashkimi i vërtetë në Krishtin: ky është synimi, që i ka vënë vetes prefekti i ri i Kongregatës për Doktrinën e Fesë, imzot Gerhard Ludvig Myler, emëruar në korrik në këtë detyrë, nga Papa Benedikti XVI. Më parë, imzot Myler ka qenë ipeshkëv i Regensburgut. Ja ç’thotë për punën që e pret, në mikrofonin tonë:RealAudioMP3
E dimë se ekzistojnë shumë paragjykime kundër kësaj Kongregate, por ato kanë të bëjnë shumë pak me realitetin. Nga ana ime, mendoj se nuk jam thirrur nga Ati i Shenjtë për punë burokratike, por jam thirrur si teolog. Do të përpiqem të kuptoj cilat janë sot të këqiat në jetën e Kishës. Në shumë vende kemi polarizime të forta, kontraste ndërmjet të ashtuquajturve “tradicionalistë” e të ashtuquajturve “progresistë”. Duhet t’i kapërcejmë këto kundërvënie, duhet të gjejmë një bazë të përbashkët në Kishë.
E si mund të arrihet ky bashkim?
Bashkimi në Krishtin nuk realizohet në nivelin programatik, falë ndonjë oratori të aftë partie, siç bëjnë politikanët. Ne nuk jemi bashkësi njerëzish, që lind rreth ndonjë programi partie e as bashkësi studiuesish, që krijohet për ndonjë punë kërkimore-shkencore, bashkimi ynë është dhuratë. Ne besojmë në Kishën, e cila është “një e vetme” dhe e bashkuar me Krishtin. E nëse vërtet besojmë në Krishtin, pa e instrumentalizuar Magjisterin e Kishës, duke nënvizuar vetëm pikat që mbështesin një ideologji të caktuar, nëse ia besojmë veten pa kushte Krishtit, edhe bashkimi në Kishë nuk shkatërrohet nga xhelozia dhe ambicia. Ky është njëri ndër objektivat e mi: të ulen tensionet brenda Kishës.
Juve do t’ju duhet të merreni edhe me çështjen e abuzimeve seksuale, kryer nga anëtarë të klerit…
Gjithnjë e kudo, gjëja më e rëndësishme janë personat, viktima të këtyre abuzimeve të tmerrshme. Është shumë i rëndësishëm edhe aspekti i parandalimit; njëkohësisht, duhet të shmangim rrezikun, që drejtësia të kthehet në linçim. Në këtë fushë, si Kongregata për Doktrinën e Fesë, ashtu edhe dioqezat përkatëse, veprojnë në mënyrë koherente e mendoj se mund të merremi edhe si shembull.







All the contents on this site are copyrighted ©.