2012-09-19 15:58:05

Në audiencën e përgjithshme, Papa kujton Libanin: të krishterë e myslimanë, së bashku kundër ndarjeve e luftrave


Të krishterët e myslimanët duhet të japin së bashku një dëshmi të sinqertë e të vendosur kundër ndarjeve, dhunës e luftës. Kjo qe thirrja e Papës në audiencën e sotme të përgjithshme, mbajtur në Sallën Pali VI në Vatikan. Benedikti XVI përshkoi etapat e udhëtimit të tij apostolik në Liban, ku qëndroi nga 14 deri më 16 shtator, duke e këshilluar edhe një herë vendin të jetë shembull bashkëjetese në Lindjen e Mesme e në botë.
Ati i Shenjtë theksoi dy aspekte të shtegtimit triditor, të cilat duket qartë se kanë lënë gjurmë në zemrën e tij e nuk mund të harrohen, ose të nënvlerësohen. Papa u ndal në pritjen e ngrohtë, që i bënë edhe ndjekësit e Islamit:
“Myslimanët më pritën me respekt të madh e vlerësim të sinqertë; prania e tyre e vazhdueshme më dha mundësinë të jap një mesazh dialogu e bashkëpunimi ndërmjet krishterimit dhe islamizmit: më duket se ka ardhur koha të dëshmojmë së bashku, me sinqeritet e vendosmëri, kundër ndarjeve, kundër dhunës, kundër luftrave”.
Më pas, duke përmendur mijëra të rinjtë libanezë, në festë për takimin me Papën, në afërsi të selisë së Patrikut maronit, Ati i Shenjtë përshkroi me disa penelata edhe një skenë tjetër, e cila – vërejti – pati ngjyrat e miqësisë e të solidaritetit:
“Duke parë të rinj të krishterë e myslimanë, që festonin në harmoni të madhe, i nxita të ndërtojnë së bashku të ardhmen e Libanit e të Lindjes së Mesme dhe ta kundërshtojnë së bashku dhunën e luftën. Pajtimi e harmonia duhet të jenë më të forta se thonjtë e vdekjes”.
Këto janë farat e shpresës për paqe në Liban e jo vetëm në të, pohoi Benedikti XVI, i cili në fillim të audiencës deshi të ritheksojë arsyen e vizitës së tij apostolike, në një vend kaq të ndërlikuar, si përsa i përket historisë, ashtu edhe kronikave të fundit:
“Një udhëtim, që e desha me gjithë shpirt, pavarësisht nga rrethanat e vështira, duke pasur parasysh se një atë duhet të jetë gjithmonë pranë bijve të vet, kur kanë probleme të rënda. Ndjeja fort në zemër dëshirën për ta kumtuar paqen, që Zoti i ringjallur u la dishepujve të vet, në fjalët ‘Ju jap paqen time - سَلامي أُعطيكُم’”.
Shtegtimi në Liban, dukej qartë se ka qenë për Atin e Shenjtë “një ngjarje kishtare mallëngjyese”, siç e quajti vetë. Papa foli me admirim për dëshminë e flaktë të të krishterëve, të cilën e preku me dorë në atë tokë, shenjte nga gjurmët e kalimit të Krishtit dhe, e dhimbshme nga plagët gjithnjë të hapura:
“Para vuajtjeve dhe tragjedive, që karakterizojnë atë zonë të Lindjes së Mesme, shfaqa përkrahjen më të sinqertë për aspiratat e ligjshme të atyre popullsive të dashura, duke u çuar një mesazh inkurajimi dhe paqeje. Veçanërisht, më vjen ndërmend konflikti, që po mundon Sirinë, duke shkaktuar, përveçse mijëra të vdekur, edhe një fluks refugjatësh, që plot dëshpërim, kërkojnë në rajon siguri e të ardhme; e nuk harroj as gjendjen e vështirë në Irak”.
Kulmi i vizitës për bashkësinë e krishterë, qe pa dyshim, nënshkrimi dhe dorëzimi i Nxitjes Apostolike pas-sinodale “Kisha në Lindjen e Mesme”. Rast i volitshëm, që Benedikti XVI të tregonte dashurinë dhe afërsinë e tij me Kishën lokale:
“I ftova katolikët e Lindjes së Mesme ta ngulin vështrimin tek Krishti i kryqëzuar për të gjetur aty forcën, edhe në situatat e vështira e të dhimbshme, për të kremtuar fitoren e dashurisë mbi urrejtjen, të faljes mbi hakmarrjen e të bashkimit mbi ndarjen… Megjithëse janë një ‘grigjë e vogël’, nuk duhet të kenë frikë, me sigurinë se Zoti është gjithnjë me ta. Papa nuk i harron”.
Në përfundim të katekizmit në gjuhë të ndryshme, Benedikti XVI përshëndeti veçanërisht rregulltarët e shumtë të pranishëm në Sallën Pali VI, ndër të cilët, abatët benedektinë, ardhur nga e gjithë bota, pjesëmarrësit e kapitujve të përgjithshëm të Vëllezërve e Motrave të Kongregatës së Zemrës së Krishtit e të Zojës e të asaj të Adhurimit të Përhershëm, si edhe laikët karmelitanë, të impenjuar në një kongres ndërkombëtar.







All the contents on this site are copyrighted ©.