Franca blindohet, për shkak të karikaturave të Muhametit
Në ditën e daljes të së përjavshmes satirike “Charlie Hebdo”, me karikaturat e profetit
Muhamet, Franca blindohet. Ministri i Jashtëm, Laurent Fabius ka dhënë urdhër të mbyllen
ambasadat dhe shkollat franceze në 20 vende të botës, ku mund të ketë protesta të
myslimanëve. Në Tunizi, shkollat franceze do të mbahen mbyllur deri të hënën. Gjithashtu,
qeveria franceze ka njoftuar se do të ndalojë çdo lloj manifestimi kundër filmit amerikan
mbi Muhametin. Një protestë e tillë duhej të zhvillohej të shtunën në Paris. “Nuk
ka asnjë arsye të lejojmë hyrjen në vendin tonë të konflikteve, që s’kanë të bëjnë
aspak me Francën”, shpjegoi kryeministri Jean-Marc Ayrault. Ai kujtoi se Franca është
“vend, ku garantohet liria e shprehjes, përfshirë atë përmes karikaturave”. “Nëse
ka njerëz, që e ndjejnë veten të fyer dhe mendojnë se nuk është respektuar ligji,
ne jemi një shtet në të cilin ligji respektohet, prandaj t’i drejtohen gjykatës”,
shtoi. Ndërkaq, numri i revistës me karikaturat është shitur menjëherë. Në faqen
e parë, duket një hebre ortodoks, që shtyn karrocën e një njeriu me çallmë, mbi të
cilën shkruhet “Të paprekshmit 2”. Në faqen e fundit, nga ana tjetër e revistës, shihet
Muhameti, që i tregon të ndenjurat një regjizori. Brenda revistës, shumë karikatura
frymëzohen nga filmi blasfem mbi profetin Muhamet, prodhuar në SHBA-të. Edhe gazeta
e Vatikanit “L’Osservatore Romano” kritikon publikimin e karikaturave, në një artikull
me titullin e qartë “Benzinë mbi zjarr”. “Ndërsa bëhen përpjekje të lodhshme për të
ulur tensionin në botën islamike për filmin “Pafajësia e Myslimanëve”(Innocence of
Muslims) – shkruhet në gazetën vatikanase – ka rrezik të hapet një front i ri proteste,
pasi e përjavshmja franceze ‘Charlie Hebdo’ publikoi sot disa karikatura për Muhametin”.
Gazeta e quan këtë një “nismë të diskutueshme, e cila i hedh benzinë zjarrit, pas
sulmit të konsullatës amerikane në Bengazi, në të cilin vdiq ambasadori Chris Stevens
e tri funksionarë të tjerë, pas manifestimeve të përgjakshme të protestës në vende
të ndryshme e pas kërcënimeve terroriste të Al Kaidës”.