2012-09-18 12:17:37

Imzot Tomazi për Sirinë: Kombet e Bashkuara të lënë mënjanë interesat egoiste e të punojnë për paqen


Dhuna në Siri, ku vetëm dje humbën jetën 60 vetë, tregon sa e padobishme është lufta për zgjidhjen e problemeve të një vendi. Kështu tha vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë në Zyrën e OKB-së në Gjenevë, imzot Silvano Maria Tomazi, duke folur dje, në sesionin e 21-të të Këshillit për të drejtat e njeriut. Ai kujtoi raportin e OKB-së, që vë në dukje se në Siri të dyja fraksionet kanë kryer krime lufte e dhunime të rënda të të drejtave të njeriut. E ndërsa në Kajro është mbledhur Grupi i Kontaktit për Sirinë, në Haleb vazhdon një betejë e ashpër ndërmjet kundërshtarëve dhe përkrahësve të presidentit Bashar Al Asad.
Kryeipeshkvi përmendi 30 mijë viktimat e konfliktit dhe mëse një milion të shpërngulurit. Respektimi i të drejtave të njeriut, theksoi ai, është kushti kryesor, që u bën të mundur palëve të ulen në tryezën e bisedimeve. Imzot Tomazi vuri në dukje se Papa dhe Vatikani e kanë dënuar ashpër dhunën në Siri dhe e ftoi bashkësinë ndërkombëtare të lerë mënjanë interesat egoiste e të mbështesë një proces politik drejt paqes. Edhe për gazetarët, ftesa që ta bëjnë si duhet punën e tyre, duke i dhënë lajmet të plota, në mënyrë që opinioni publik jo vetëm të informohet, por edhe të edukohet me kulturën e paqes.
Së fundi, duke folur për rëndësinë e pranverës arabe në Lindjen e Mesme, imzot Tomazi bëri thirrje të mos u zihet fryma aspiratave për liri, pasi Siria dhe Lindja e Mesme e meritojnë përkrahjen dhe solidaritetin, në këtë çast të vështirë. Siç vunë në dukje edhe patrikët e krishterë të Damaskut, pas vizitës së Papës në Liban, edhe për krizën siriane, Benedikti XVI dha kritere etike, pa ndërhyrë në fushën politike, duke i kujtuar bashkësisë ndërkombëtare përgjegjësinë për t’i shpëtuar jetën popullsisë, në veçanti, pakicave.







All the contents on this site are copyrighted ©.