2012-09-18 14:52:51

Dokumentar i ri për 50-vjetorin e Koncilit II të Vatikanit


Me qëllimin për ta bërë të njohur edhe për ata, që nuk ishin të pranishëm, ose e njohin pak, Këshilli Papnor i Komunikimeve Shoqërore do të paraqesë një film dokumentar mbi Koncilin II të Vatikanit, në 50-vjetorin e kësaj ngjarjeje të rëndësishme për Kishën Katolike.
“Në Filmotekën e Vatikanit – shpjegoi për gazetarët kreu i Këshillit, imzot Klaudio Maria Çeli – kemi rreth 200 orë filmime origjinale, para hapjes së Koncilit. Falë një pune shumë të madhe përzgjedhëse, kemi realizuar 12 orë material filmik të panjohur”.
Më 11 tetor, pikërisht 50 vjet pas fillimit të Koncilit II të Vatikanit, RAI – Radio Televizioni Italian do të transmetojë një sintezë prej 1 ore e 50 minutash, në dy pjesë. Data e dytë akoma nuk është përcaktuar. Përveç materialit të Filmotekës, RAI ka përdorur edhe filmime të Arkivit Sekret të Vatikanit.
“Tundimi – sqaroi imzot Çeli – mund të na nxiste për një film thjesht festiv, por deshëm ta pasuronim me 14 intervista të kardinajve, patrikëve dhe kryeipeshkvijve të vendeve të ndryshme të botës… Qëllimi është të shihet si u kuptua Koncili II i Vatikanit edhe në Afrikë, në Amerikën Latine e në Kishat Lindore. Vetë prelatët shpjeguan si u perceptuan dokumentet më të rëndësishme të Koncilit, duke na dhënë kështu një panoramë kulturore e kishtare shumë të pasur”.
Ndër imazhet e filmit dokumentar, edhe fjala e mbajtur nga ipeshkvi i atëhershëm, imzot Karol Vojtila, zgjedhur më pas në fronin e Shën Pjetrit. Pastaj, etërit konciliarë, që nënshkruajnë dokumentet, intervista me sekretarin e veçantë të Papës Gjoni XXIII, imzot Loris Kapovila, etj.. Ky film dokumentar, shpjegoi imzot Çeli, do të “paketohet” sipas kërkesave të Konferencave të ndryshme Ipeshkvnore dhe të Kishave lokale, edhe në dvd, më të shkurtra ose më të gjata, si të jetë e nevojshme. Do të njihen me të edhe etërit e Sinodit të ardhshëm për Ungjillëzimin e Ri. Filmi dokumentar hapet me një hyrje historiko-teologjike të gazetares Vania De Luka, ndërsa teologu italian Marko Vergotini e udhëheq shikuesin në interpretimin e përmbajtjes së seksioneve të ndryshme.







All the contents on this site are copyrighted ©.