2012-09-17 17:02:58

Çfarë mund t’u thotë Nxitja Apostolike “Kisha në Lindjen e Mesme” evropianëve?


Udhëtimi apostolik i Benediktit XVI në Liban (14-16 shtator 2012), ndër përmasat e tij të shumëfishta, qe një rast i veçantë për takimin dhe bashkëveprimin ndërmjet kulturave, traditave, besimeve e feve të ndryshme. Një nga frytet e tij të shumta është dokumenti, që Papa i dorëzoi Kishës lokale. Nxitja Apostolike “Kisha në Lindjen e Mesme” përpiqet të pajtojë e të bashkojë procese të ndryshme, të ndërlikuara historike e fetare: në ato troje, si përmes një lenteje zmadhuese, përqendrohen probleme, që kanë të bëjnë me krejt botën bashkohore, duke përfshirë edhe Evropën. Lindja e Mesme është toka ku kanë lindur tri fetë e mëdha monoteiste. Për gjithë njerëzimin, e sidomos për ne të krishterët, është toka e Zotit Shëlbues, është toka e Jezusit të Nazaretit. Ati i Shenjtë, duke folur për Kishën në Lindjen e Mesme, a mos vallë dëshiron t’i nxisë të reflektojnë edhe banorët e Kontinentit të Vjetër?
Dokumenti papnor mund të lexohet e të analizohet në disa mënyra e kontekste. Por, ajo që mbizotëron në të, është ftesa e fuqishme, gati një britmë për dialog, që merr pëmasa të jashtëzakonshme në kontekstin e Lindjes së Mesme. Ndërthuren dukshëm në të prania dhe veprimtaria e tri feve monoteiste. Në ato troje ndjehet veçanërisht fort, zëri i lutjeve, që i lartohen Zotit nga degët e ndryshme të krishterimit të ndarë. Aty kremtojnë liturgjitë e tyre, në rite të ndryshme, Kishat Katolike lindore, të bashkuara me Pasardhësin e Shën Pjetrit, duke ruajtur traditat dhe veçoritë e tyre shekullore. Platformat e mundësitë e dialogut janë të shumta. Por, sa e vështirë është të fillohet e të vazhdohet! E sa të rënda janë pasojat e mungesës së dialogut! E dëshmon këtë historia e dhimbshme, shpesh e përgjakur e asaj toke. Histori, me të cilën ndërthuren ngjarjet e fundit, të viteve, muajve dhe ditëve të fundit; histori, e lidhur me ndarjet e brendshme të Islamit, me instrumentalizimin e fundamentalizmit fetar për qëllime politike, me terrorizmin, me tregtinë e drogës, me interesat politike dhe ekonomike të shteteve të kontinenteve të ndryshme.
Duke folur për dialogun ndërfetar, Papa nënvizon se në perspektivën e Lindjes së Mesme, ai nuk diktohet nga konsiderata pragmatike politike e shoqërore, por ndërtohet para së gjithash, mbi themele teologjike, që i referohen fesë. Vetëm atëherë, feja i jep ngushëllim njeriut me bindjen se Zoti ekziston, se është i mirë dhe e do njeriun. Prandaj, pavarësisht nga përkatësia fetare, feja e bën njeriun të aftë t’ia hapë zemrën së mirës dhe së vërtetës, të cilat mund t’i zotërojë kushdo, pavarësisht se beson në mënyra të ndryshme.
Në Evropë flitet shumë për dialogun. Njëlloj, flitet shumë për lirinë, në të gjitha aspektet e saj. Pasi dialogu është i lidhur në mënyrë të pazgjidhshme me lirinë. E ndoshta, pikërisht në dritën e Nxitjes së re Apostolike, banorët e Evropës duhet ta pyesin edhe një herë veten mbi domethënien e lirisë dhe të dialogut. Në Lindjen e Mesme, ku jo vetëm mungojnë gjithnjë paqja dhe stabiliteti, por ku për besimtarët në Krishtin janë në rrezik kushtet më elementare të mbijetesës, pikërisht të krishterët japin prova të identitetit të tyre, që mbetet i fuqishëm, pavarësisht se ata janë pakicë e persekutuar dhe e diskriminuar. Falë fesë, e cila jo vetëm u jep bazat për debatin teologjik, por sidomos u jep forcën për të jetuar në mënyrë krijuese në një bashkësi shumëkulturore, britma e të krishterëve për dialog e liri duket se i ka themelet e forta.
Në një atmosferë të tillë, Papa kërkon respektimin e lirisë fetare dhe fundin e dhunës, të diskriminimit e të urrejtjes. Duke kujtuar mësimet e Koncilit II të Vatikanit, shkruan se liria fetare është më e larta e të gjitha lirive. Është e drejtë e shenjtë dhe e patjetërsueshme, për t’u vënë në zbatim si në nivelin individual, ashtu edhe në atë komunitar. Në fe e në kultin fetar, liria ndjek zërin e ndërgjegjes, na lejon të zgjedhim fenë, që secili e mendon si të vërtetë e na jep mundësinë ta shprehim publikisht atë. Duhet të ekzistojë mundësia e shprehjes së lirë të fesë, e ekspozimit të simboleve të saj, pa rrezikuar jetën dhe lirinë personale.
Ndoshta ky është njëri nga meditimet, që Benedikti XVI dëshiron t’ia japë Evropës. Pasi paradoksalisht, në emër të lirisë, të modernitetit dhe të korrektësisë politike, ajo promovon vazhdimisht një lloj modeli të vepruari kundër të krishterëve e, me sukses të veçantë, largohet nga rrënjët fetare, mbi të cilat është formuar. Ndoshta, Evropa mendon se pa fe e pra, pa themele teologjike, mund të ndërtohet mbi këtë tokë një dialog i qëndrueshëm për paqen e mirëqënien! Natyrisht, mund ta imagjinojmë këtë kontinent me kishat e shndërruara në galeri artesh e në palestra, pa kryqe, pa vlera “të prapambetura”, që mbrojnë martesën e familjen e, në mesin e gjithë këtyre, një grusht i vogël të krishterësh, që fshihen nga bota në ndonjë katakombë moderne! Por, a do të jetë akoma, toka, në të cilën njeriu mund të jetojë në plotësi? A do të jetë akoma, Evropë?

Leszek Gęsiak SJ








All the contents on this site are copyrighted ©.