2012-09-17 13:32:31

Dom Ndoc Noga, në një vjetorin e vdekjes


Më 17 shtator përkujtojmë një vjetorin e kalimit në amshim të priftit shqiptar dom Ndoca Nogaj. Ky meshtar i kryedioqezës së Shkodrës, dom Ndoc Noga, u nda nga jeta më 17 shtator 2011 në moshën 85 vjeçare, pas një sëmundjeje të gjatë.
Dom Ndoc Nogaj u lind në Shirokë nga baba Simon Nogaj dhe nëna Marije Maka nga Shkodra. Shkollën fillore e kreu në Shirokë. Më pas u regjistrua në shkollën e jezuitëve, në Kolegjin e Shën Françesk Saverit. Meqë aty ndjeu thirrjen e Zotit për të ndjekur rrugën e meshtarisë, hyri në Seminarin Papnor.
Në janar të 1947, arrestohet me akuzën fallso si “antipushtet”, dhe ndryhet në bunker në skelën e Vlorës. Mbas gjashtë muajsh torturash të tmerrshme nxirret në gjyqin ushtarak së pari në Vlorë, pastaj në Tiranë dhe përfundimisht dënohet me pesë vjet burgim nga këtu në janar 1947, ku me daljen e amnistisë për të burgosur ushtarakë, lirohet nga burgu dhe kthehet në shtëpi. Më pas punon në sharrat e Pukës si në Gojan, Fushë Arrës etj.
Në korrik të vitit 1951, sipas garancisë së dhënë me gojë nga kryetari i Kishës Katolike të Shqipërisë Imzot Bernardin Shllaku dhe Ordinari i Shkodrës imzot Erenest Çoba, paraqitet pranë kryesisë së Kishës Katolike për t'u bërë meshtar.
Më 19 Mars 1954, në sakrestinë e vjetër të Katedrales dom Ndoc Noga dhe jezuiti atë Gjergj Vata shugurohen meshtarë në fshehtësi nga Imzot Ernest Çoba, pasi pushteti komunist nuk aprovoi shugurimin e tyre.
Nga viti 1952 deri në vitin 1958 kreu detyrën e organistit të Katedrales duke formuar një “Schola Cantorum” me “voci bianche” me rreth 50 djem të moshës deri 14 vjeç.
Ishte viti 1958 kur u detyrua të hyjë punëtor në Ndërmarrjen e Ndërtimit për të punuar së pari si punëtor e më vonë si elektricist deri në vitin 1982, vit i daljes së tij në pension.
Me rihapjen e kishave në 1990, dom Ndoc Nogaj hapi kishën e Zojës Rruzare dhe formoi të parin orator për të rinj duke bashkuar rreth vetës të rinj të të gjitha moshave dhe duke iu mësuar besim, edukatë dhe gjuhë të huaja.
Në prill 1991 rithemeloi ‘Veprimin Katolik të Rinisë’, e në nëntor 1991 ‘Shtypin Katolik Shqiptar’. 17 prill 1994 në Kishën Katedrale të Shkodrës pas Elterit qendror, rindërtoi Elterin e dikurshëm, siç ishte para mbylljes së Katedrales nga komunizmi, kushtuar Nënës së Këshillit të Mirë, Zojës së Shkodrës.
Në maj 1997, në krye të një përfaqësie të dendur të lagjeve Rus Katolik dhe Skënderbeg, zbuloi themelet e Kishës së vjetër të Shën Kollit në Rus dhe hapi kultin fetar në atë vend ku shërbeu me përkushtim për disa vite.
Pas transferimit në ambientet e Kuries së kryeipeshkvisë së Shkodrës, përveç veprimtarisë baritore, dom Ndoc Nogaj punoi gjithnjë me rini dhe me shtypin katolik shqiptar.

Në nderim të figurës së këtij meshtar e për shpirt të tij, në Katedralen Shën Shtjefni në Shkodër, u kremtua Mesha e dritës e udhëhequr nga Arqipeshkvi Metropolitan i Shkodër-Pult, imzot Angjelo Massafra.
Në vijim po paraqesim disa fragmente nga homelia që imzot Angelo Massafra, mbajti gjatë Meshës së Dritës me rastin e salikimit të dom Ndoc Nogaj.

“Qoftë lëvduar Jezu Krishti! Shumë të dashur Meshtarë dhe vëllezër e motra!
Në pjesën e Ungjillit që sapo dëgjuam, jemi zhytur në dramaticitetin e vdekjes së Jezu Krishtit dhe në të vërtetën e Ngjalljes së Tij. Pse e kërkoni të Gjallin ndër të vdekur? Ai s'është këtu! U ngjall! – siç e dëgjuam edhe në Ungjill.
Jezusi tha: “Unë jam Rruga, Jeta dhe e Vërteta! Nëse ndokush do të vijë pas meje, le të mohojë vetveten, le të marrë Kryqin e vet e të më ndjekë! Në Gjetsemani: At, largoje prej meje këtë kelk: por u bëftë vullnesa jote! O At, në duar të tua po e dorëzoj shpirtin tim! Do të kthehem tek Ati e do t'ju përgatis vendin edhe për juve!”.
Vëllezër e motra! Në jetën dhe në fjalët e Jezu Krishtit kemi çelësin e domethënies së jetës: të lindjes dhe të vdekjes. Për çdo njeri, për secilin prej nesh dhe për meshtarin Dom Ndoc. Me Pagëzim, ne të krishterët kemi marrë pjesë në Vdekjen dhe në Ngjalljen e Krishtit. Jemi këtu për të kremtuar Meshën për Dom Ndocin, për t'ia besuar shpirtin e tij mëshirës së Zotit.
Dom Ndoci qe njëri nga meshtarët që i mbijetoi persekutimit komunist, i cili mbi Kishën Katolike qe i pamëshirshëm. Pas viteve të torturave dhe burgimit që ai bëri kur ishte ushtar, në vitin 1954 qe shuguruar meshtar nga Imzot Ernest Çoba në sakrestinë e kësaj katedraleje. Këtu shërbeu duke u angazhuar në kanton liturgjike dhe këtu punoi për lavdinë e Zotit. Gjatë komunizmit dhe mbylljes së kishave ai u detyrua të punonte si elektricist.
Kalvari nuk është vetëm Golgota, prandaj jam i bindur se për një meshtar që nuk mund t'u shërbejë besimtarëve në cilësinë e thirrjes, Kalvari është tragjik. Edhe më tragjik bëhej ky kalvar kur besimtarët e persekutuar kishin frikë ta shihnin meshtarin si meshtar. Sa e vështirë është që të kuptojmë gjithçka ka ndodhur në historinë e meshtarëve tanë të vrarë apo edhe të mbijetuar në atë regjim.
Por ne, i lutemi Zotit sot për Dom Ndocin, që t'a pranojë në amshim me mëshirën dhe mirësinë e tij.
Dom Ndoci ishte një meshtar shumë aktiv. Kishte shumë për zemër rininë dhe për të dhe asaj ia ka dedikuar të gjitha mundimet e kohëve të lirisë. Themeloi Veprimin Katolik për të Rinj dhe Shtypin Katolik për të Rinj. Ai drejtoi një revistë që titullohej “Mbas Teje”.Kuptohet se është fjala për të shkuar pas Krishtit. Dom Ndoci ka meritën se mori tokën ku ishte Kisha e Shën Kollit.... ndërtoi një barakë llamarinash..... ku shërbeu shumë vite dhe më pas ndërtuam kishën e bukur.
Në ditët e fundit, kur u shtrua në shtrat, patëm mundësi t'a asistonim dhe motrat vinçenciane tregojnë se Dom Ndoci vdiq tek sa po luste Rruzaren e Mëshirës Hyjnore rreth orës 14. 20. Ne lutemi që të shohësh e kundrosh fytyrën e Zotit.
Të dashur meshtarë, kohët e fundit kemi humbur në pak ditë, meshtarët e vjetër shqiptarë. Jeta, qëndresa dhe vepra e tyre, jam i bindur se do të jetë motiv për thirrje të reja meshtarake e rregulltare. Të gjithë meshtarët, të mbijetuar nga komunizmi, kanë pasur dhe kanë këtë karakteristikë: të mos ndalen kurrë! Ata nuk ndaleshin, punonin në popull dhe me popull. Ata e donin popullin dhe e ndjenin sikur ia kishin borxh atij vitet që komunizmi nuk i lejoi të punonin.
Ky element i tyre le të jetë shtysë dhe shembull për të gjithë, që duke e dashur popullin që Zoti na ka zgjedhur, që t'i shërbejmë, të mos pushojmë, por t'a bëjmë gjithsecilin të vetëdijshëm që thirrja e Krishtit është thirrja jonë, që jeta e Krishtit është jeta për ne, që Ringjallja e Tij është fitorja e jonë dhe dashuria e Atit është Zoti me ne.
Në fund, është mirë dhe e drejtë, të falënderoj ata që i kanë shërbyer në vitet e fundit, zonjën Albana Stenaj, Motrat Vinçenciane e dom Gjovalin Sukaj.
Dom Ndoci pushoftë në paqen e Zotit, dhe të gjithë ata që janë në pikëllim për humbjen e tij, Zoti i ngushëlloftë me hirin e dritës së tij.
Qoftë lëvduar Jezu Krishti!”







All the contents on this site are copyrighted ©.