2012-09-17 14:28:03

Bilanc i atë Lombardit për vizitën e Papës në Liban: sukses i madh shpirtëror e njerëzor


Përfundoi dje vizita e Papës Benediktit XVI në Liban, gjatë së cilës, Ati i Shenjtë u dorëzoi ipeshkvijve të rajonit, Nxitjen Apostolike pas-sinodale “Kisha në Lindjen e Mesme”, por mati edhe pulsin e shoqërisë libaneze, mozaik kulturash e fesh, ku dialogu ekumenik dhe ai ndërfetar marrin rëndësi të veçantë. Gjithashtu, Papa preku me dorë entuziazmin e të rinjve, por edhe të gjithë besimtarëve, që e shoqëruan në veprimtaritë e ndryshme të këtij udhëtimi apostolik. Benedikti XVI e inkurajoi Libanin të jetë vend, ku të diskutohet për paqen në të gjithë rajonin. Presidenti libanez Mishel Sulejman e quajti shtegtimin papnor “vizitë historike”, që solli një “mesazh shprese për gjithë Lindjen e Mesme”. Për një bilanc të parë, ia drejtuam mikrofonin zëdhënësit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi:
Më duket se udhëtimi ka qenë një sukses i madh, nga pikpamja shpirtërore, por edhe nga ajo njerëzore, nga të gjitha pikpamjet. Libani priste nga Papa ta përforconte në bashkimin e në paqen e tij të brendshme, të vlerësonte bashkëjetesën e grupeve të ndryshme e natyrisht, ky rezultat u arrit. Pritja, që iu rezervua Papës, tregonte dëshirën e të gjithëve për ta marrë këtë mesazh paqeje, vlerësimi e inkurajimi nga Ati i Shenjtë. Edhe përmasave të ndryshme të Kishës Katolike, bashkësive me rite të ndryshme të saj në Lindjen e Mesme, mesazhi iu arriti e madje, me forcë. Papa vizitoi katër Patriarkatet lindore në Bejrut, foli shpesh për impenjimin e përbashkët të Kishës dhe pati edhe një takim ekumenik në Patriarkatin siro-katolik me të krishterët e konfesioneve të tjera. Nga pikpamja ndërfetare, veçanërisht përsa u përket marrëdhënieve me myslimanët, udhëtimi ishte shumë i frytshëm, pasi Papa jo vetëm takoi krerët e bashkësive islamike – sunite, shiite, druze dhe alauite – por edhe iu referua vazhdimisht në fjalimet e tij, bashkëpunimit të mirë ndërmjet të krishterëve dhe myslimanëve. Ua tha këtë të rinjve, përgjegjësve politikë, ua tha të gjithëve. E kjo u kuptua si lajtmotiv i vizitës. E siç më thanë, myslimanët shfaqin interes të madh për Nxitjen pas-sinodale, si dokument, që u drejtohet kryesisht të krishterëve – është e qartë! – por që mund të jetë shumë interesant edhe për ta. Ata e kuptojnë se duhet ta ndajnë paqen me të tjerët jo vetëm nga jashtë, por edhe duke i njohur e duke vlerësuar të krishterët e fenë e tyre.
Tema e paqes ishte mbizotëruese në gjithë shtegtimin apostolik. Vetë motoja e udhëtimit ishte “Paqja qoftë me ju”. Të shumta, thirrjet e Papës, disa prej të cilave, mund të themi se nuk ishin dëgjuar ndonjëherë…
Po. Është e qartë se paqja ishte tema kryesore e këtij udhëtimi. Papa tha: “Jam shtegtar i paqes”. E ishte shtegtar i paqes për gjithë Lindjen e Mesme, jo vetëm për Libanin. Tani duhet të shohim nëse jehona e këtij mesazhi i kapërcen kufijtë e Libanit dhe dëgjohet në të gjithë rajonin, duke pasur parasysh tensionet e këtyre ditëve. Kjo është shpresa jonë e madhe e është diçka e bukur që Papa pati guximin ta jepte këtë mesazh shprese, pikërisht në çastin kur shqetësimet janë vërtet të mëdha. Ato mund ta mbysin mesazhin e Papës, por njëkohësisht, e vënë në dukje në mënyrë të veçantë. Si zakonisht, Papa iu drejtua bashkësisë ndërkombëtare, që natyrisht duhet të përfshihet në këtë proces e të përgjigjet për të, pavarësisht se ka problemet dhe përçarjet e veta. Por pati edhe një thirrje mjaft origjinale në Lutjen e Engjëllit të Tënzot, e cila u drejtohet vendeve arabe, që ta konsiderojnë njëri-tjetrin vëllezër. U bëhet thirrje të punojnë me përgjegjësi e më të bashkuar për paqen.
Në të gjitha etapat e vizitës, por sidomos në Meshën e së dielës e në takimin me rininë, u pa entuziazmi e mallëngjimi i njerëzve, ndërsa shihnin Papën, i cili pati guximin të shkojë në Liban, pavarësisht nga gjendja e vështirë. Edhe Ati i Shenjtë, mendoj se u prek nga takimi me të rinjtë, shumë prej të cilëve nuk e kalojnë lehtë jetën…
Mallëngjimi është diçka e përhershme, që e shoh në sytë e njerëzve gjatë gjithë udhëtimeve të Papës, sepse të gjithë, anekënd botës, e kuptojnë fort mirë se prania e Atit të Shenjtë, me impenjimin, lodhjen, guximin, intensitetin shpirtëror të tij, është dhuratë e jashtëzakonshme. Prandaj, nganjëherë mjafton që Papa të kalojë për pak sekonda, për të krijuar një atmosferë mallëngjyese të patregueshme e të paharrueshme. Në Liban, njerëzit kujtonin edhe takime të tjera të jashtëzakonshme: ai i të rinjve me Gjon Palin II ka qenë vërtet shumë i ndjerë. E jemi shumë të kënaqur që kjo përvojë u përsërit me të rinjtë e pranishëm, por, përmes televizionit, edhe me të gjithë vendin. Sepse të rinjtë janë e ardhmja. Papa u thotë të rinjve, të krishterë e myslimanë, të kenë shpresë, të mos largohen nga atdheu e të impenjohen së bashku për të ndërtuar një të ardhme më të mirë, duke rezistuar para problemeve, që i kanë të gjithë të rinjtë e botës, e duke rezistuar para frikës e çkurajimit, që përfshin rajonin. Ishte mesazh shumë i fuqishëm! Dy të rinjtë, që folën me Papën, në fillim të takimit, e shprehën mjaft mirë çfarë prisnin të rinjtë nga ky takim. Shpresojmë ta kenë kuptuar aftësinë e Atit të Shenjtë për t’u dhënë përgjigje të thella, jo të sipërfaqshme, që kërkojnë impenjimin e të rinjve, tani e më vonë…







All the contents on this site are copyrighted ©.