2012-09-16 17:23:53

Takimi ekumenik i Benediktit XVI. Patriku Younan: të jemi dëshmitarë të përbashkët të Krishtit në Lindjen e Mesme


Me domethënie të madhe, takimi i fundit i udhëtimit të Papës në Liban, ai ekumenik, që u zhvillua sot pasdite në Patriarkatin siro-katolik të Sharfetit. Benedikti XVI diskutoi për çështjen e bashkimit të të krishterëve dhe të dëshmisë së tyre të përbashkët me përfaqësuesit ortodoksë, protestantë e katolikë. Edhe gjatë këtij takimi, Ati i Shenjtë u dorëzoi të pranishmëve Nxitjen Apostolike pas-sinodale, ndërsa jashtë ndërtesës, ipeshkvijtë e sinodit siro-katolik, ishin mbledhur enkas në përkim me vizitën e Papës, së bashku me etërit e bashkësisë e seminaristët e Sharfetit. Cila është rëndësia e këtij takimi e në përgjithësi, e vizitës së Benediktit XVI, për impenjimin ekumenik të të krishterëve? Të dëgjojmë Patrikun siro-katolik, Youssif Younan:RealAudioMP3
Ne kemi shpresë se do të hapë një udhë të re për ta njohur njëri-tjetrin, për t’u respektuar e për t’u pasuruar nga njëri-tjetri… Kjo është shpresa jonë. Ne, këtu në Lindjen e Mesme, si të pagëzuar, nuk mund ta dëshmojmë ndryshe fenë, veçse duke jetuar bashkimin e vërtetë ndërmjet nesh. Para së gjithash, këtë duhet ta bëjnë Kishat katolike, te cilat, pavarësisht se me rite e tradita të ndryshme, janë të thirrura ta jetojnë vërtet bashkimin, pasi të gjitha janë të bashkuara me Papën, me selinë romake. Pastaj, katolikët e të pagëzuarit e tjerë duhet të mësojnë si ta kapërcejnë të kaluarën e trishtuar të kundërshtive teologjike, të shkojnë përtej formulave dogmatike, për të gjetur Zotin, i cili na ka thënë ta duam njëri-tjetrin e të jemi të bashkuar me Të. Prandaj, ne, si të krishterë, nuk mund ta vemë në jetë misionin tonë të ungjillëzimit e të dëshmisë, nëse nuk jemi vërtet të bashkuar. Ka akoma shumë për të bërë. Por nuk mund të ankohemi, siç bëjnë disa, duke thënë se të krishterët duhet të bashkohen: ne jemi të bashkuar, në fe jemi të gjithë të bashkuar. Në planin baritor, duhen bërë akoma përpjekje…
Tema e Sinodit për Lindjen e Mesme ishte “Bashkim e dëshmi”. Sa e rëndësishme është dëshmia e përbashkët e të krishterëve në dialogun me myslimanët?
Në Perëndim nuk kuptohen akoma sfidat, që na duhet të përballojmë në botën, ku jetojmë. Ne nuk kemi leje të ungjillëzojmë, ashtu siç e keni ju në botën e ashtuquajtur ‘demokratike’, ose ‘laike’. Prandaj, nuk duhet ta gënjejmë veten. Sigurisht, duhet të kemi gjithnjë besim tek Zoti, i cili na ka premtuar të qëndrojë gjithmonë me ne, por duhet të punojmë të gjithë, si në Lindje, ashtu edhe në Perëndim, që të arrijmë në sisteme, ku të respektohet liria e vërtetë e fesë dhe e ndërgjegjes, liria e shprehjes fetare. Për këtë kemi nevojë ne! E Perëndimi duhet të na ndihmojë t’u kërkojmë instancave ndërkombëtare të jenë koherente me të drejtat e njeriut. Jetojmë në shekullin XXI, por ne jetojmë si të ishim në Mesjetë! Pra, kemi nevojë që Perëndimi të na ndihmojë, jo me përpjekje hipokrite që thonë: “Ju jetoni në këtë botë, duhet ta pranoni logjikën e saj”. Mirë pra, ne e pranojmë logjikën e kësaj bote, por duam ta jetojmë fenë tonë. E nuk na lënë ta jetojmë lirisht, prandaj nuk mund ta shprehim të vërtetën e fesë sonë. Ati i Shenjtë na mëson ta shpallim të vërtetën në dashuri e ta jetojmë dashurinë në të vërtetën.








All the contents on this site are copyrighted ©.