2012-09-16 19:45:45

Ndërroi jetë në Shqipëri don Genc Tuku


Me hidhërim lajmërojmë se ndërroi jetë në Shqipëri, meshtari i ri, don Genc Tuku, i dioqezës së Sapës, 37 vjeç. Famullitar i mir ë e i zellshëm dhe aktivist i shoqatës Kolping, don Genc Tuku ia kishte kushtuar jetën ungjillezimit te vendlindjes dhe veprimtarisë baritore me rini. Duke e lutur Zotin për shpirtin e tij, ia japim fjalën bashkëpunëtores sonë nga Vau i Dejës, Violeta Marashi…...........RealAudioMP3

Të dielën më 16 shtator, në orët e para të ditës, kaloi në amshim meshtari dioqezan i Dioqezës së Sapës, Dom Genc Tuku, 37 vjeç. Ndërsa po afrohej orari i kremtimit të Meshës në orën 9.00 të ditës së Diel, në famullinë Lindja e Zojës, në Dejë dom Genc Tuku ndërroi jetë si pasojë e një ataku kardiak. Me të marrë lajmin e hidhur, Ipeshkvi i Sapës, Imzot Lucjan Avgustini, shkoi në vendngjarje dhe mori të gjitha masat e duhura për homazhet dhe shërbimin mortor.
Gjatë pasdites së sotme trupi i pajetë i Dom Gencit u vendos në Kishën Lindja e Zojës, ku po vazhdojnë homazhet me pjesëmarrje të madhe të besimtarëve të Sapës dhe të mbarë klerit të Shqipërisë, ndërsa do të vazhdojë të qëndrojë po aty në famullinë kishtare ku shërbeu deri ditën e hënë me datën 17 shtator, ku në orën 15.00 do të kremtohet Mesha e Lamtumirës si famullitar. Pas Meshës trupi i tij do të përcillet për në familje ku do të qëndrojë deri me datën 18 shtator. Mesha e Salikimit do të kremtohet të martën me datën 18 shtator, në orën 10.00 në vendlindjen e tij në Troshan, ndërsa do të prehet në banesën e fundit në varrezat e fshatit Troshan. Shpirti i tij u prehtë në Paqe me Krishtin!
Curriculum vitae
Dom Genc Tuku lindi me 06 qershor 1975 në Troshan. Mësimet e para i mori në vendlindjen e tij. Pas mbarimit të shkollës 8 – vjeçare filloi shkollën e mesme në Blinisht ku kreu 2 – vite. Me lirinë fetare dhe kontaktet që kishte me Mons. Nikoll Troshanin dhe fretërit që shërbenin në famulli, i lindi dëshira për t’u bërë meshtarë, dhe ndoqi studimet në seminarin e Shkodrës. Në fillim mbaroi gjimnazin pranë Etërve Jezuitë për 4 vite. Gjatë periudhës së verës të vitit 1996 ishte një kohë meditimi për të vendosur me bindje të plotë ecjen përpara të pjekjes personale drejt meshtarisë. I bindur për një gjë të tillë Genci vazhdoi 2 – vjeçarin e filozofisë. Pas mbarimit të filozofisë vazhdoi studimet e teologjisë për 4 –vjet. Kjo periudhë 4 – vjeçare ka qenë një njohje direkte e Zotit nëpërmjet shkrimeve të ndryshme të teologjisë dhe baza formuese për një jetë të shëndoshë të krishterë.
Me 14 Shtator 2001 mori shugurimin e diakonatit në Kishën “Lindja e Zojës” në Troshan. U shugurua meshtar me 29 qershor 2002 në Katedralen e Shën Shtjefnit në Shkodër. Meshën e Parë e kremtoi me 1 korrik 2001 në vendlindjen e tij në Troshan. Pas shugurimit u emërua si famullitar në famullinë kishtare ‘Lindja e Zojës’ në Dejë. Shërbeu në shumë famulli të tjera si në famullinë “Shën Gjon Bosko” në Shelqet; në famullinë Shna Prendja në Grash; në famullinë “Zoja Rruzare” në Gjegjan e në shumë zona të tjera të dioqezës së Sapës. Dom Genc Tuku ishte përgjegjës për thirrjet në dioqezë të Sapës dhe për Rininë Dioqezane. Gjithashtu prej më se 6 viteve udhëhoqi edhe Shoqatën Kombëtare“Kolping” me qendër në Tiranë dhe Shkodër. E gjithë veprimtaria e tij prej Meshtarit la gjurmë të frytshme në Kishën Shqiptare, posaçërisht në dioqezën e Sapës.

Violeta Marashi







All the contents on this site are copyrighted ©.