2012-09-16 18:32:11

"I uroj Libanit të vazhdojë të lejojë shumëllojshmërinë e traditave fetare": kështu Papa në ceremoninë e lamtumirës nga vendi i kedrave


Para nisjes nga Libani, fjalimi i fundit i Papës në vendin e kedrave, gjatë ceremonisë së lamtumirës në aeroportin “Rafik Hariri” të Bejrutit, në praninë e presidentit të Republikës, të katër patrikëve, të disa ipeshkvijve, të autoriteteve e të besimtarëve të shumtë. Ati i Shenjtë shprehu keqardhjen për largimin nga kjo tokë, mozaik kulturash e fesh, që e priti me aq bujari. “Është traditë në Lindjen e Mesme – theksoi Papa – të pritet miku me vëmendje e respekt, e ju e bëtë këtë. U jam mirënjohës të gjithëve. Por vëmendjes dhe respektit i keni shtuar edhe diçka tjetër; mund të krahasohet me një nga ato erëzat e famshme të Lindjes, që ia shton shijen ushqimit: është ngrohtësia e zemrës suaj, që më nxit dëshirën për t’u rikthyer”.
Benedikti XVI kujtoi etapat kryesore të vizitës së tij në Liban, nga dorëzimi i Nxitjes Apostolike pas-sinodale për Lindjen e Mesme, tek takimet, lutjet dhe entuziazmi i rinisë. Tha se druri i Libanit, druri i kedrave ishte i pranishëm edhe në Tempullin e Salomonit, në shenjtëroren e Hyjit, siç tregohet në Bibël dhe, i uroi vendit e banorëve të tij, të jenë të pranishëm edhe sot, si atëherë, në shenjtëroren e Zotit. Ati i Shenjtë vuri në dukje bashkëjetesën paqësore, që karakterizon këto troje, duke kërkuar të punohet për ta ruajtur edhe në të ardhmen, në mënyrë që, sidomos besimtarët, t’i japin botës jo vetëm dëshminë e ekzistencës së Zotit, por edhe atë të bashkimit ndërmjet njerëzve, të dyja tema të Sinodit për Lindjen e Mesme.
“I lutem Hyjit për Libanin – tha Papa – që të jetojë në paqe e t’i rezistojë me guxim gjithçkaje mund ta shkatërrojë, ose ta kërcënojë. I uroj Libanit të vazhdojë të lejojë shumëllojshmërinë e traditave fetare e të mos e dëgjojë zërin e atyre, që duan ta pengojnë. I uroj Libanit – përfundoi plot zjarr Benedikti XVI – të forcojë bashkimin ndërmjet banorëve të vet, pavarësisht nga grupi e feja së cilës i përkasin, duke hedhur poshtë me vendosmëri gjithçka mund ta përçajë dhe duke zgjedhur gjithnjë vëllazërimin”.
Duke ia besuar vendin e kedrave dhe banorët e tij Virgjërës Mari, Papa u dha bekimin e tij apostolik atyre dhe krejt Lindjes së Mesme, për t’u nisur për në Itali, ku do të vazhdojë të qëndrojë në selinë verore të papëve, në Kastel Gandolfo, pranë Romës.








All the contents on this site are copyrighted ©.