2012-09-16 19:19:29

Dom Genc Tuku dhe shoqata Kolping


Po ju propozojmë fjalimin, që mbajti dom Genc Tuku me rastin e 20-vjetorit të lumnimit të themeluesit të shoqatës Kolping, i cili jep edhe një ide për mënyrën si e konceptonte jetën i ndjeri.

Ligjërata me rastin e konferencës për 20-vjetorin
e Lumturimit të Adolph Kolping, mbajtur në Shkodër
Të dashur vëllezër e motra, të nderuar anëtarë të Shoqatës Shqiptare Kolping, të Kolping Kosova, të nderuar miq e të ftuar, kam kënaqësinë që me ju e për ju t’ia lartësojmë lutjet dhe falenderimet të madhit Zot, për të mirat / bekimet që na ka dhuruar gjatë kësaj ecjeje, duke u rritur së bashku si një familje e vetme. E dimë shumë mirë që lutja është e ngjizur thellë në vetë natyrën e njeriut, lutja është një praktikë e vjetër që e kanë përdorur të gjitha besimet dhe kulturat. Sipas mësimit të të vjetërve: zogjtë fluturojnë, peshqit notojnë dhe njerëzit luten. Edhe i Lumi Adolph Kolping, lutjen e kishte
në vend të parë. Ai lutej shumë. Lutja është një lidhje siç është çdo lidhje njerëzore, që ne e kemi fort për zemër, na bën mirë, na mjekon me kujdes. Çdo lidhje për të qenë e vërtetë dhe jo sipërfaqësore kërkon respekt nga ana e të dyve dhe angazhim total gjatë gjithë kohës.
Ne nuk duhet të lutemi për pak ditë apo për pak vite. Ne duhet te lutemi gjithmonë. Kisha na ofron në çdo kohë, këtë mundësi për të parë vetveten, sa jemi aftë t’i qëndrojmë besnik krijuesit tonë. Në të njëjtën kohë, gjatë këtyre viteve: jemi rritur së bashku, kemi kaluar momente të bukura, falë edhe edukimit/formimit që kemi marrë nga themeluesi ynë Adolf Kolping. Siç e dini edhe ju me dt. 27 tetor 2011 është 20 vjetori i Lumturimit të tij. Një ngjarje e madhe për të gjithë ne sepse ai në kohën e tij, të mbushur me vështirësi të ndryshme, arriti se si të harmonizojë besimin dhe njerëzit të jetojnë pa e humbur kontrollin mbi realitetin. Dhe falë kësaj për çdo lloj veprimtarie që ne si Kolping kryejmë ose e përkushtojmë vetën tonë, matet: në bazë të standardeve të Shpirtit që ne kemi d.m.th. ne si Kolping jemi para se gjithash një shoqëri shpirtërore, një vepër e Shpirtit Shenjt. Kolping-u, përveç lutjes, arriti që nëpërmjet punës të edukonte njeriun drejt dashurisë. Shpesh herë në realitetin tonë nuk jemi të dashuruar me punën, d.m.th nuk dëshirojmë të punojmë, jetojmë si parazitë, presim gjithçka nga të tjerët, ose e thënë ndryshe nga qielli. Shkurt nuk kemi dashuri për punën. Ai, kështu, i jepte mundësi njeriut që duke punuar të fitonte jo vetëm diçka materiale për të jetuar por duke punuar të dhuronte dashuri.
Të prodhosh dashuri në kohën në të cilën ne po jetojmë sot, në këtë kohe post moderne mes problemeve dhe krizave të llojeve të ndryshme qoftë në planin ekonomik, politik, social, religjioz etj. Është pak e vështirë por në të njëjtën kohë është shumë urgjente të krijohet tek njeriu vetëdija, që secili prej nesh është Dashuri. Vetëm nëse jemi dashuri mund ta japim, t’ia dhurojmë të tjerëve një gjë të tillë. Ne shpesh herë jemi të shtyrë nga tendenca vetëm të bëjmë, sa herë ankohemi nuk kemi këtë as atë, mungojnë fondet, financimet janë të paktë, një familje Kolping më e pasur se tjetra, Kolping në Lindje e në Perëndim etj. Çfarë thotë Nënë Tereza: Nuk mund të bëjmë gjëra të mëdha në këtë botë por vetëm gjëra të vogla me dashuri të madhe. Kush na edukon drejt dashurise? Jezusi na edukon drejt dashurisë. Mire, pra dije sot dhe thadroje thellë në zemrën tënde se Zoti është Hyj lart në qiell e poshtë mbi tokë – e tjetër nuk ka. Mbajë urdhërimet e ligjet e tija, që unë po ti jap sot, që të jesh mirë ti e bijtë e tu pas teje. Lp. 4, 35-40. Sa i qëndrojmë besnikë kësaj Fjale? Zoti na i ka dhënë këto fjalë sepse është dashuri, ai na do e dëshiron të na bëjë edhe neve si vetën. A dëshirojmë ne?
Të dashur miq, edukimi drejt dashurisë nuk është një hap apo diçka e mbyllur e izoluar në vetvete por një angazhim i përditshëm për ta fituar atë. Nëse e kërkojmë në një moment të caktuar të jetës, falë lutjes dhe falë Shkrimeve të Shenjta, ai na dhurohet. Vetë dashuria dhurohet. Por një person, një familje, një shoqëri pa
dashuri çfarë mund të jetë? Asgjë. Eshtë një thënie e njerëzve të mëdhenj: Ndëshkimi më i madh që mund ti vijë një populli nuk ka të bëjë me dënime të ndryshme që mund të hasë në historinë e tij por ndëshkimi më i madh është kur të braktiset nga dashuria e Zotit. Me këtë mendim e përfundoj dhe ju ftoj se bashku ta lusim Trininë Shenjte që t‘na dhurojë Hiret e nevojshme për ta gjetur dashurinë e vërtetë, Krishtin, Zotin tonë. Amen.







All the contents on this site are copyrighted ©.