2012-09-15 18:35:00

Papa takon të rinjtë e Lindjes së Mesme: myslimanë e të krishterë të bashkuar për t’i dhënë fund dhunës.


Në fjalimin gjatë takimit me rininë në sheshin para Patriarkatit maronit të Bkèrkè-së, në Bejrut, Papa Benedikti XVI kujtoi se këto vise siç është Libani dhe Lindja e Mesme, janë tokë me vlerë të jashtëzakonshme historike e shpirtërore, pse janë vet djepi i krishterimit:
“Të dashur miq, ju sot jetoni në këto vise të botës që kanë pa lindjen e Jezusi dhe zhvillimin e krishterimit. Është nderim i madh! E është thirrje për t’i qëndruar besnikë, për ta dashur tokën e sidomos për të qenë dëshmitarë e lajmëtarë të gëzimit të Krishtit, pse feja e transmetuar nga Apostujt çon në lirinë e plotë e në gëzimin, atë që kanë treguar kaq shumë Shenjtorë e të Lumtur të këtij Vendi. Mesazhi i tyre e ndriçon Kishën universale. E mund të vazhdojë ta shndrisë edhe jetën tuaj”.
Benedikti XVI u ndal pastaj te sfidat e shumta e të vështira që kanë njerëzit, e posaçërisht të rinjtë, në realitetin e jetës së përditshme në Liban e në Lindje të Mesme dhe tha.
“I njoh mirë vështirësitë tuaja që keni në jetën e përditshme, për shkak të mungesës së stabilitetit e të sigurisë, vështirësitë që keni për të gjetur punë e akoma për ndjenjën e vetmisë e të mënjanimit që përjetoni. Në një botë që është në lëvizje të vazhdueshme, ju jeni vënë përballë sfidave të shumta e të rënda. Edhe papunësia e mungesa e sigurive tjera, nuk duhet t’u shtyjnë të shijoni “mjaltin e hidhur” të emigrimit, me çrrënjosjen dhe ndarjen nga vendlindje, në shkëmbim të një të ardhme të pasigurt”.
Në vazhdim, Papa u kujtoi të rinjve rolin që kanë si protagonistë të së ardhmes së Libanit. I ftoi ta vlerësojnë dhe luajnë rolin e tyre të rëndësishëm që kanë në shoqëri e në Kishë. Rinia është një moment në të cilin njeriu frymëzohet me ideale të mëdha e, po kështu është edhe periudhë në të cilën përmes studimit bëhen përgatitjet për një zanat e për një të ardhme. Kjo është e rëndësishme e prandaj kërkon kohë, tha Papa e theksoi që jeta të mbështetet mbi themele të sigurta e të qëndrueshme:
Kërkoni atë që është e bukur, e atë që e mirë bëjeni me shije! Dëshmoni madhështinë dhe dinjitetin e trupit tuaj i cili “është për Zotin” (1Kor 6,13). Në gjurmët e të lumit Gjonit Palit II, edhe unë po u përsërisë: “Mos keni frikë. Hapjani dyert e shpirtrave e të zemrave tuaja Krishtit!”. Takimi me Të (Jezu Krishtin) i “jep jetës një horizont të ri e me të edhe drejtimin vendimtar” (Enc. Deus caritas est, 1), theksoi Papa duke i ftuar të rinjtë ta gjejnë pikërisht në Jezusin, forcën e jetës, ta gjejnë në Të burimin e gëzimit të vërtetë. Krishti thotë: Po ju jap paqen. Këtu, u tha Benedikti XVI të rinjve, qëndron revolucioni që ka sjell Krishti, ai i dashurisë. Prandaj, kërkoni e jetoni marrëdhënie të pasura me miqësi të vërtetë e fisnike. Ndërmerrni nisma që i japin kuptim jetës e që përforcojnë rrënjët e ekzistencës, duke kundërshtuar mënyrën e sipërfaqshme e të lehtë të konsumit. Mos iu nënshtroni idhujve kalimtar, por gjithmonë kërkoni shembujt më të mirë që keni përreth, mësuesit e udhëheqësit shpirtëror që dinë t’u tregojnë udhën e pjekurisë e të lumturisë.
Në vijim të fjalimit, Papa nënvizoi vlerën që ka dokumenti pas sinodal, Nxitja Apostolike “Kisha në Lindje të Mesme” edhe për të rinjtë, të cilën i ftoi ta lexojnë e ta meditojnë për t’a zbatuar në jetën e përditshme. E pastaj duke cituar letrën e shën Palit drejtuar Korintianëve, iu drejtua plot bindje rinjve:
Letra jonë jeni ju, letër e shkruar në zemra tona, e njohur dhe e dashur nga të gjithë njerëzit. E vërtetë dihet që ju jeni letra e Krishtit përpiluar për ne, shkruar jo me bojë stilografi, por me Shpirtin e Zotit të gjallë, jo mbi rrasa guri, po mbi rrasa të zemrave njerëzore” (2 Kor 3,2-3). Ju jeni letra e gjallë e Krishtit. Kjo letër nuk do të shkruhet në letër e me stilograf. Do të jetë dëshmia e jetës tuaj dhe e fesë tuaj.
Ju të rinj, u tha Papa mijëra e mijëra të rinjve nga Libani e nga Lindja e Mesme të pranishëm në këtë takim, ju të rinj libanezë, ju jeni shpresa e së ardhmes së Vendit tuaj, shpresa e kësaj toke mikpritëse, shembull i bashkëjetesës. E pikërisht duke u ndalur te vlera që bashkëjetesa mes feve për këtë Vend e këtë Rajon, Papa vlerësoi e përshëndeti edhe të rinjtë jo të krishterë, pjesëmarrës në këtë takim:
“Dua t’i përshëndes tani të rinjtë myslimanë që sonte janë me ne. Ju falënderoj për praninë tuaj e cila është kaq e rëndësishme. Ju së bashku me të rinjtë e krishterë jeni e ardhmja e këtij Vendi të mrekullueshëm e të tërë Lindjes së Mesme. Mundohuni ta ndërtoni së bashku të ardhmen. E kur të rriteni, vazhdoni të jetoni në përkim e në bashkim me të krishterët. Pse bukuria e Libanit gjendet në këtë simbiozë të bukur. Pra duhet që e tërë Lindje e Mesme, duke shikuar ju, të kuptojë që myslimanët e të krishterët, Islami e Krishterimi, mund të jetojnë së bashku pa urrejtje, në respektimin e besimit të çdonjërit, për të ndërtuar së bashku një shoqëri të lirë e njerëzore. Më tej mora vesh se mes jush ka edhe të rinj nga Siria. Dua të them se e admiroj guximin tuaj. Thuani shtëpive tuaja, familjarëve e miqve, që Papa nuk ju harron. Thuani njerëzve rreth jush se Papa është i trishtuar në shpirt për shkak të vuajtjeve tuaja e të zisë suaj. Ai nuk e harron Sirinë në lutjet e veta e në shqetësimet e veta. Nuk i harrojnë mesdhetarët që vuajnë. Ka ardhur koha që myslimanë e të krishterë të bashkohen për t’i dhënë fund dhunës e luftërave”, përfundoi Papa.







All the contents on this site are copyrighted ©.