2012-09-15 14:37:01

Bashkësitë islamike në Liban


Bashkësitë islamike janë gjashtë: sunite, shiite, druze, alauite, ismailite dhe një bashkësi e vogël shiite, që i referohet Aga Khanit. Tri bashkësitë e para kanë dërguar një përfaqësues në Sinodin e ipeshkvijve për Libanin në Vatikan, nga 26 nëntori deri më 14 dhjetor 1995.

Shiitët
Shiizmi lindi nga ndjekësit e Aliut, dhëndërrit të Profetit Muhamet, i cili pretendonte ta zëvendësonte te vjehërrin pas vdekjes. Vrasja e Al Hysenit, birit të Aliut, në vitin 680, shkaktoi ndarjen përfundimtare ndërmjet shiitëve dhe sunitëve. Ky martirizim kujtohet çdo vit me festën e Hashureve. Nga shiizmi kanë lindur më vonë degë të ndryshme, më e rëndësishmja prej të cilave është “Dymbëdhjetëshja”, sipas së cilës, pasardhës të Muhametit janë 12 meshkuj të familjes. I dymbëdhjeti, i zhdukur në mënyrë të mistershme, do të kthehet në tokë për të vendosur të vërtetën e drejtësinë. Shiitët përfaqësojnë 10% të myslimanëve të botës. Autoriteti më i lartë i tyre në Liban është “Këshilli i Lartë Islamik Shiit”, që kryesohet nga një dijetar i ligjit. Presidenti aktual është shehu Abdulamir Qabalan.

Sunitët
Myslimanët sunitë ndjekin mësimet e “Sunna”-s (tradita), e cila përbëhet nga të gjitha mësimet e përçuara gojarisht prej Muhametit dhe shokëve të tij të parë. Ky mësim integron mesazhin e Kuranit, që i është zbuluar nga Allahu drejtpërdrejt Vulës së Profetëve. 90% e myslimanëve të botës janë sunitë. Drejtuesi shpirtëror i bashkësisë së Libanit është Myftiu i Republikës, i zgjedhur në këtë detyrë përjetë. Ai ndihmohet nga Këshilli i Lartë i Ligjit. Selia dhe shërbimet nën autoritetin e Myftiut përbëjnë “Dar Al Fatva”. Myftiu aktual është shehu Muhammad Al-Qabbani.

Druzët
Është degë e Islamit shiit ismailit, lindur në Kajro, në fillim të shekullit X. Termi “druzë”, megjithëse i përhapur, nuk është i drejtë. Anëtarët e kësaj bashkësie, shumë xhelozë për fenë e tyre, e quajnë veten “Muvahidun”, që do të thotë “monoteistë”. Mendojnë se feja ndahet në tri disiplina, ose etapa: njohja e themeleve të Islamit, interpretimi i zbulesës, që mund të bëhet vetëm nga hoxhallarët dhe, së fundi, dija e vërtetë, që çon drejt bashkimit të gjithçkaje me Një-Të drejtin. Kreu shpirtëror i bashkësisë duhet të zgjidhet të dielën, më 16 shtator, me rastin e zgjedhjes së Këshillit të ri të bashkësisë.

Alauitët
Besim islamik i traditës shiite, me veçori të vetat. Alauitët janë të paktë në numër e gjenden në zonën e brendshme të Libanit, ndërsa shumica e tyre banon në Siri.







All the contents on this site are copyrighted ©.