Para mase njëzet shekujsh Kryqi ishte mjet i dënimit poshtërues dhe i vdekjes së frikshme.
Romakët dënonin me kryqëzim kriminelët më të mëdhenj. Sot, Kryqi mbizotëron në
të gjithë jetën e besimtarëve të krishterë, në të gjithë jetën e Kishës sonë; si mjet
flijimi, shpëtimi, gëzimi, shenjtërimi dhe hiri Hyjnor. Siç shkruan Shën Gjon
Krisostomi (Gojarti), "ky simbol i mallkuar dhe i neveritshëm i dënimit më të rëndë,
tani është bërë i dashur dhe i shtrenjtë". E sheh Kryqin e Krishtit kudo. "Në Tryezën
e shenjtë, në Liturgjinë Hyjnore; në shtëpitë, në tregjet, në shkretëtirat dhe në
rrugët; në detet, në anijet dhe në ishujt; në krevatet dhe në veshjet; në martesat,
në gostitë, në enët e arta dhe të argjendta; në stolitë dhe afresket... Kaq i shtrenjtë
u bë për të gjithë kjo dhuratë e mrekullueshme, ky hir i papërshkruar". Dhe në
fakt, ngado që të hedhësh vështrimin, brenda dhe jashtë kishës, do të shikosh shenjën
e Kryqit. Si simbol skematik, i dukshëm, por edhe si gjest i shenjtë. Shenja e Kryqit
mbizotëron në jetën e Kishës. Por, përse? Sepse, që atëherë, kur mbi Kryqin
u mbërthye dhe vdiq për shpëtimin e botës vet Hyji, Zoti ynë Jezu Krisht, ky mjet
i dënimit u bë mjet i shpëtimit. "...Nuk është më masë dënimi, por trofe i shpëtimit
tonë u bë"- thotë një himn urate. Objekti e simboli i turpit u bë lavdia e Kishës
dhe e besimtarëve. Simboli i mallkimit u bë "shpërblesë e mallkimit të lashtë". Druri
i vuajtjes dhe i vdekjes, u bë "shenjë e gëzimit" dhe "thesarmbajtës i jetës". Të
gjitha këto, ngaqë mbi drurin e Kryqit të Krishtit, bashkë me trupin e Tij të pacenuar,
Zoti mbërtheu edhe mëkatet tona. Siç shkruan shën Pali Apostull, na fali "të gjithë
fajet; duke shuar dëftesën paditëse që ishte kundër nesh... duke e mbërthyer atë mbi
kryq" (Kol. 2,14). Kryqi i Krishtit na pajtoi me Atin Qiellor, nga i Cili na kishte
ndarë djalli duke mashtruar njerëzit e parë. Kryqi i Krishtit na hapi Mbretërinë e
Qiejve, pasi deri në kryqëzimin e Tij, Djalli përpinte në mënyrë të pangopur, madje,
edhe të drejtët. Prandaj Kryqi ka kaq fuqi edhe hir; fuqinë dhe hirin e Krishtit,
që, kur u kryqëzua, i kaloi në mënyrë mistike dhe të paimagjinueshme te Kryqi i Tij
i nderuar, siç na e thotë me urtësi edhe himnologjia: "Kryqi yt, o Zot, edhe pse duket
dru në thelb, është i veshur me pushtet hyjnor; edhe pse është i dukshëm në botë,
shpirtërisht bën mrekullinë e shpëtimit tonë...". Kryqi, pra, u bë simboli i vet
Krishtit Zot e Shpëtimtar. Simbol nga i cili dridhen demonët. "Kryqi, ruajtësi
i gjithë botës; Kryqi, bukuria e Kishës; Kryqi, fuqia e mbretërve; Kryqi,
mbështetja e besimtarëve; Kryqi, lavdia e engjëjve dhe plaga
e demonëve " (Eksapostillarion)