2012-09-14 16:53:19

Libani


Republikë parlamentare, Libani është anëtar i OKB-së, i Lidhjes Arabe, i Organizatës për Bashkëpunimin Islamik, i Organizatës Botërore të Tregtisë…
Kryeqyteti i tij është Bejruti, por ka edhe qytetet të tjera të rëndësishme si Tripoli, Sidoni, Tiro, Zahlheu. Sipërfaqja prej 10.400 km katrore banohet nga 4 milion banorë, prej të cilëve gjysma janë të krishterë e gjysma myslimanë. Në Liban jetojnë edhe 400 mijë refugjatë libanezë, ardhur me dy valë: në vitin 1948, pas themelimit të shtetit të Izraelit dhe në vitin 1970, pasi përzihen nga Jordania. Ndërkaq, libanezët vetë janë kryesisht emigrantë, 10 milion të shpërndarë në të gjithë botën. Të ardhurat për banor në vitin 2010, ishin 15.193 dollarë amerikanë. Në Liban flitet zyrtarisht arabishtja, por frëngjishtja e anglishtja përdoren gjerësisht.
Historia e afërt e LibanitPakti kombëtar
Që nga shpallja e pavarësisë në vitin 1943 e deri në fund të luftës në Liban, në vitin 1990, pushteti politik është administruar me një “Pakt kombëtar”, një lloj bese e pashkruar ndërmjet të krishterëve e myslimanëve, që i shpërdante kështu detyrat shtetërore: Presidenti i Republikës duhej të ishte i krishterë maronit, Kryetari i Parlamentit, mysliman shiit dhe kryeministri, mysliman sunit. Ndërkaq, zv.presidenca e Republikës u jepej greko-ortodoksëve, komanda e Forcave të Armatosura, druzëve e, kështu me radhë, në bazë të numrit të besimtarëve për çdo fe. Në parlamentin prej 99 deputetësh, çdo 6 të krishterë zgjidheshin 5 myslimanë, ndërsa pushteti administrativ publik ndahej në mënyrë të barabartë ndërmjet të krishterëve e myslimanëve.

Lufta (1975-1990)
As Papa e as Selia e Shenjtë nuk kanë folur kurrë për “luftë civile”, ose për “luftë ndërmjet myslimanëve e të krishterëve”. Në të vërtetë, nuk ka qenë një luftë, por një konflikt pas tjetrit, që e patën pështjelluar krejtësisht vendin e kedrave. Fillimisht, ndeshje ndërmjet të krishterëve libanezë dhe palestinezëve, pastaj ndërhyrje të forcave të armatosura siriane e izraelite, ndeshje ndërmjet shiitëve dhe palestinezëve, ndërmjet shiitëve, ndërmjet të krishterëve, ndërmjet palestinezëve… Një rol të rëndësishëm ka luajtur Irani. Lufta në Liban qe rezultati i kontradiktave të brendshme dhe i tensioneve në një rajon, që gjatë 60 vjetëve të fundit ka përjetur dhjetë luftra: ato arabo-izraelite (1948, 1956, 1967, 1972), ndeshjet në Jordani ndërmjet ushtrisë dhe guerriljes palestineze (1970), konflikti Irak-Iran (1981-88), pushtimi irakian i Kuvajtit (1990), pushtimi i Irakut (2003), lufta në Liban (1975-90), sulmet izraelite në Liban (1982, 2006).
Bilanci i ndeshjeve qe katastrofik për një vend me tre milion banorë: 150 mijë të vdekur, 350 mijë të plagosur, 19 mijë të zhdukur, 800 mijë të shpërngulur, 900 mijë emigrantë, zhvlerësimi i lirës libaneze me 600% dhe papunësi ndërmjet 20 e 30% të popullsisë aktive. Sot, një milion libanezë janë të varfër e 5% e familjeve jetojnë nën pragun e varfërisë. Ndër viktimat e shumta të pafajshme të marrëzisë vëllavrasëse, nuk duhen harruar “dëshmitarët”, siç i quan jezuiti, atë Giovanni Rulli në librin “Libani, nga kriza në ‘Pax Siriana’”: rregulltarë të vrarë me gjak të ftohtë, edhe pas torturave të gjata e gjymtimeve, pasi dëshmonin se bashkëjetesa islamo-kristiane ishte e mundur, ishte pasuri. Janë jezuitët Nicolas Kleuiters, André Masse dhe Ghassibé Kayrouz, meshtari maronit Akl, shehu Soubhi Saleh, jurist i shquar sunit e këshilltar i myftiut e, shumë të tjerë.
Fundi i luftës dhe Marrëveshja e Ta’ef
Deputetët libanezë, të mbledhur në Ta’ef të Arabisë Saudite, nga 30 shtatori më 22 tetorin e vitit 1989, miratuan një “Dokument Mirëkuptimi Kombëtar”, që e ripërvijon hartën e sistemit politik: pakësohen kompetencat e Presidentit të Republikës (maronit) në favor të kryeministrit (sunit), rritet numri i deputetëve nga 99 në 108 (më pas, 128), gjysma të krishterë e gjysma myslimanë, çaramtosen të gjitha milicitë, caktohet tërheqja e trupave siriane brenda dy vjetësh etj.. Zbatimi i pjesshëm i Marrëveshjes së Ta’ef është kritikuar vazhdimisht nga Kryetari i Asamblesë së Patrikëve dhe ipeshkvijve katolikë e Patriku maronit. Vazhdon edhe sot debati për reformën e ligjit zgjedhor.
Arsimi
Është një nga pikat më të forta të Libanit, gjatë gjithë historisë: që nga shpikja e alfabetit fenikas në Biblos (40 km në veri të Bejrutit, nga ku vjen fjala “biblio, Bibla”) tek Shkolla e famshme e Ligjit romak në Bejrut (shekulli III – IV), pa harruar rolin e skrivanëve dhe të përkthyesve të krishterë në arabizimin e kulturës perëndimore në oborret e kalifëve abasidë e, së fundi, rolin e Bejrutit si kryeqytet i rilindjes kulturore të gjuhës arabe, që nga fillimet e shekullit XX.
Libani është krenar për institutet kulturore dhe universitetet, të cilat kanë përgatitur breza të tërë drejtuesish libanezë e rajonalë (25 prej tyre janë pronë e Kishës Katolike). Ndër mëse njëmijë institucionet arsimore, 907 janë pronë kishtare. Leksionet jepen në arabisht, frëngjisht dhe anglisht. Shkollat katolike konsiderohen më prestigjozet, por në to, vetëm 30% e nxënësve janë të krishterë.








All the contents on this site are copyrighted ©.