Në arabisht Bajrùt. Emri ka mundësi të jetë me origjinë kananee (bii’rot: shumësi
i biir, “pus”) dhe t’u referohet burimeve ujore të nëndheshme. Fillimisht shtrihej
ndërmjet dy kodrave, Ashrafieh dhe Musaytbeh, të cilat sot lidhen me njëra-tjetrën
nga ndërtimet e shumta. Qyteti ka dalje në det dhe formon një gadishull trikëndor
me Gjirin e Shën Gjergjit në veri. Bejruti përmendet që në kronikat egjiptiane
të mijëvjeçarit të dytë para Krishtit dhe është i përmendur për veprimtarinë e marinarëve
e të tregtarëve fenikas. Qyteti mori statusin e kolonisë romake në vitin 14 para Krishtit,
duke u quajtur “Colonia Julia Augusta Felix Berytus”. Në shekujt III-VI, merr famë
Shkolla e Ligjit. Shkatërruar nga tërmetet dhe nga një tsunami në vitin 551, qyteti
ishte akoma rrënojë, kur mbërritën myslimanët në vitin 635. Kryqëzata e parë kthen
të krishterët në vitin 1110, ndërsa më 1229, ata përzihen nga mamalukët, që e kthejnë
në portin kryesor rajonal për tregtinë e erëzave me Republikat Detare të Venedikut
e të Gjenovës. Pushtuar nga otomanët në vitin 1516, popullsia e Bejrutit rritet
me shtimin e rëndësisë së qytetit për tregti. Aty u strehuan edhe të krishterët e
larguar me një eksod masiv, që pasoi masakrën e malit libanez në vitin 1860. Paqtimi
i vendit, në sajë të Fuqive të Mëdha, u ndoq nga ardhja e misionarëve protestantë
e katolikë. Misionarët ungjillorë amerikanë themeluar Universitetin Amerikan të Bejrutit
në vitin 1866, ndërsa jezuitët katolikë ndërtuan Universitetin e Shën Jozefit në vitin
1881. Me zhvillimin e tipografisë në arabisht, por edhe në frëngjisht e anglisht,
Bejruti është tashmë pararojë e gazetarisë dhe e kulturës në vendet arabe. Në
fund të Luftës I Botërore, pas rënies së Perandorisë Otomane, Libani kalon nën Mandatin
Francez. Në vitin 1920, Bejruti shpallet kryeqytet i Libanit, duke u bërë seli e institucioneve
publike. Pas pavarësisë, në vitin 1943, ai kthehet në qendër rajonale për tregtinë,
biznesin, financën dhe turizmin, duke i dhënë kështu Libanit, emrin “Zvicra e Lindjes
së Mesme”. Përzënia nga Jordania e guerriljes palestineze, në shtator 1970, është
ngjarje e rëndësishme në historinë e vendit. Qendra politiko-ushtarake e palestinezëve
zhvendoset në Liban, duke shërbyer si katalizator i tënsioneve ndërmjet të krishterëve
dhe myslimanëve. Lufta, që zgjati nga viti 1975 deri në vitin 1991, shkatërroi krejtësisht
infrastrukturat e kryeqytetit dhe ekonominë e vendit. Rindërtimi solli në dritë
një shtresëzim arkeologjik, që përshkon historinë 5000 vjeçare të Bejrutit. I ashtuquajturi
“Bejruti i madh”, pra qendra e qytetit, numëron 1,5 milion banorë, gati gjysma e popullsisë
së vendit.