2012-09-13 13:41:05

Sulmi kundër konsullatës amerikane në Bengazi. Pas vrasjes së ambasadorit, qeveria libiane kërkon falje e premton të dënojë fajtorët


Qeveria libiane i kërkoi falje SHBA-ve për sulmin e 11 shtatorit kundër konsullatës amerikane në Bengazi, ku mbetën të vrarë ambasadori Kristofer Stivens, dy marinsa dhe një funksionar. Sulmi, në 11-vjetorin e atentatit terrorist kundër Kullave Binjake në Nju Jork, u bë nga manifestues, që protestonin për një film, prodhuar në SHBA-të e gjykuar fyerës për fenë islame. Autoritetet libiane sigurojnë se fajtorët do të dënohen. Kjo ngjarje ndodhi vetëm pak orë para një episodi të ngjashëm para ambasadës amerikane në Kajro të Egjiptit. 3 mijë vetë arritën të ngjiteshin në muret e selisë diplomatike dhe të digjnin flamujt amerikanë. Filmi, në qendër të protestave, për të cilin u prononcua dje edhe Selia e Shenjtë, përmes zëdhënësit, atë Federiko Lombardi, është prodhuar nga regjizori izraelito-amerikan Sem Bacile dhe tallet me Islamin e me imazhin e Muhametit. Për këtë episod të rëndë, folëm fillimisht me vikarin apostolik të Tripolit, imzot Gjovani Inoçenco Martineli:
Libia ndodhet në një moment të veçantë, me zgjedhjet e pastaj, pas tyre, me vendosjen e qeverisë së re. Kemi nevojë për qetësi që t’i ndihmojmë njerëzit të vendosin si duhet, të ecin – si të thuash – me këmbët e veta. Gjithçka po ndodh për shkak të ndjeshmërisë së njerëzve për fenë, natyrisht nuk i bën mirë as politikës. Muhameti është personi me të cilin identifikohet bashkësia arabo-myslimane, prandaj, prekja e kësaj figure është shumë e rëndë. Njerëzit nuk e kuptojnë mirë këtë. Mund të flasim për çështje politike e mund edhe të mos merremi vesh, por kur preket Muhameti, të gjithë bëhen absolutisht të ndjeshëm e të kujdesshëm dhe identifikohen me të. Unë nuk e di se për çfarë flet filmi, por ka prekur ndjeshmërinë e botës arabe, duke trajtuar pa respekt Muhametin, prandaj, me siguri, nuk sjell asgjë të mirë.
Pak orë para atentatit të përgjakshëm në Bengazi, edhe në Egjipt, u bënë përpjekje për të sulmuar ambasadën e SHBA-ve në Kajro. Të dëgjojmë reflektimin e prof. Marko Lombardit, pedagog i politikave të sigurisë në Universitetin e Zemrës së Krishtit në Milano:
Në kuadrin e përgjithshëm, kemi një fuçi të jashtëzakonshme me barut, nga Egjipti në Tunizi. Këtë duhet ta kemi mirë parasysh. Në rastin e Libisë, kemi një vend të ndarë nga interesat fisnore, nga ato të radikalizmit islamist xhihadist dhe nga qeveria kombëtare, që po përpiqet të bëjë diçka. Pra, pas epokës së Gedafit, ndodhemi në pasiguri të plotë.
Dy sulme kundër ambasadave, në dukje për një film, tregojnë se feja hyn e madje, edhe fort, në këtë mes…
Sigurisht që hyn, sepse për Islamin, politika e feja shkojnë bashkë. Të kujtojmë karikaturat e publikuara disa vjet më parë në Danimarkë: edhe ato shkaktuan protestat e mijëra njerëzve, që përdorën zjarr e hekur kundër ambasadave perëndimore në Lindjen e Mesme. Prandaj, ky reagim duhej pritur. Jemi para përhapjes së integralizmit në gjithë Afrikën e Veriut. Egjipti e tregon këtë, por gjendja në Libi është edhe më dramatike, për shkak të kontrollit fisnor, etnik, fetar e politik. E kujdes, ky realitet po shkon edhe drejt Tunizisë. Në javët e fundit, vërejmë se ligji islamik, sharia, po bëhet ligj qeveritar, thjesht duke përdorur nenin e parë të Kushtetutës, që thotë se feja islame është fe e shtetit. Prandaj, gjithçka nuk përkon me fenë islamike konsiderohet e jashtëligjshme. Ndoshta e teproj, por Afrika e Veriut mund të jetë Afganistani i ri.
Katalizator për këtë gjendje qe një film, i cili është provokues, fyen Muhametin e në këtë çast, le ta themi, nuk i shërben askujt…
Këtu duhet pak inteligjencë. Jam dakord me ju. Është e kotë ta ngremë zërin për lirinë e shprehjes: duhet të jemi të lirë të shprehemi, por, sipas meje, duhet t’i kemi parasysh pasojat e asaj, që themi, dhe të marrim përsipër përgjegjësinë, që na takon. Me fjalë të tjera: duhet pak inteligjencë strategjike, kur i themi gjërat në publik, duke ditur se ç’reagim mund të ketë ai. Është mëse e qartë që një film i tillë do të sillte këto reagime. Është një çast i vështirë historik e secili prej nesh, në rrethin e vet, duhet të marrë përsipër përgjegjësitë e veta, edhe ai që prodhon një film!







All the contents on this site are copyrighted ©.